Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një “analizë” në faqen e e tyre në Facebook lidhur me rezultatin e mangët zgjedhor në Zgjedhjet Lokale në Kosovë.
Kjo Lëvizje identifikon një sërë “pengesash”, të cilat sipas tyre, sollën rezultatin e “pakënaqshëm” zgjedhor.
“Angazhimi është i përhershëm, mësimet janë të vlefshme”, shkruan Lëvizja Vetëvendosje.
“Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbrëmë ka mbajtur një mbledhje të gjatë për ta analizuar rezultatin e zgjedhjeve lokale dhe situatën politike e gjithashtu është mbajtur një mbledhje me të gjitha qendrat e Lëvizjes”.
“Katër komunat e fituara dhe 194 asambleistë nëpër komuna është mirë por nuk është mjaft. Numri i komunave nuk është rezultat i kënaqshëm për ne”, thuhet në njoftimin e LVV.
Lëvizja e udhëhequr nga Albin Kurti bëjnë të ditur se analiza e tyre e brendshme do të vazhdojë.
“E para është vetëkritika. Kemi hapësirë e nevojë për një gjë të tillë. Nuk jemi përgjigjur sipas nevojës e pritjes popullore. Diku kemi qenë shumë larg e diku kemi qenë shumë afër fitores”.
“Diku me kandidatin, diku me programin, diku me komunikimin, diku me angazhimin. Na ka munguar optimizmi në veprim. Nuk i kemi shtyrë limitet e vetëvetes. Megjithëse jemi përpjekur”, vazhdon më tej reagimi.
Ndërkaq në analizën e LVV-së është edhe fakti i pamundësisë së tubimeve të mëdha, shkaku i pandemisë.
Ndërkaq i janë i referuar edhe “kapitalit”, që sipas tyre, është bërë bashkë kundër VV-së.
“Ne kemi qenë të papërsosur kundrejt bashkimit të përkryer të kapitalit. Ata të gjithë u bashkuan sepse sot bashkë ruajnë kapitalin”, thotë Lëvizja Vetëvendosje.
“Garojnë në pasuri dhe bashkohen në politikë. Në të dyjat u pengon VETËVENDOSJA!”.
“Sot të gjitha subjektet politike po na kopjojnë. Por na kopjojnë në metodat tona. Ata po duan të fitojnë si ne por jo të bëhen si ne. Ky është thelbi. Ne nuk kemi fituar sepse kemi protestuar por sepse kemi pasur të drejtë”.
“Ne nuk jemi të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit për metodat tona por për kauzat tona. Andaj, ata jënë në sinkron në deklarata, në metoda dhe në rreshtim. Ata e kanë pasion pushtetin, ne politikën”, shkruan më tej në reagimin e tyre.
“Çlirimi ende nuk është arritur e ne duhet të luftojmë për këtë. Lufta jonë është më e gjatë. Ne as nuk lodhemi, as nuk dorëzohemi. Kosova është shumë e vlefshme për t’ua lënë në duart e stërvitura për korrupsion”.
“Shpresa jonë është e madhe. Sepse aktiviteti ynë është i përhershëm”, përfundon reagimi.