Kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti pos pozitës si i pari i kryeqytetit, tashmë ka marr edhe një përgjegjësi edhe më të madhe. Ai është bërë pjesë e ekipit negociator për të dialoguar me palën problematike tash e sa vite, Serbinë, për një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo detyrë e re që iu besua Ahmetit, Lëvizja Vetëvendosje po e konsideron të panevojshme, pasi që sipas ish partisë së tij, obligimet ndaj komunës janë lënë anash dhe projektet kanë ngecur, ndërsa kryetari Ahmeti është fokusuar më shumë në detyrat e shtetit se sa ato të komunës.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valdrin Ahmeti në një prononcim për Ekonomia Online tha se viti 2018 për komunën e Prishtinës karakterizohet si një vit dështimi.
Ai tha se përgjegjësinë e re që e ka marrë kryetari i Prishtinës nuk dihet as për atë se a do të mund ta përfundojë.
“Viti 2018 karakterizohet si një vit i dështimit të qeverisjes komunale në Prishtinë. Ne e kemi mbajtur një tryezë në fund të muajit dhjetor kur kemi realizuar gjitha premtimet e pambajtura të komunës së Prishtinës gjatë këtij viti dhe fatkeqësisht edhe për ne dhe qytetarët e Prishtinës ka dal se asnjë projekt nuk e ka përfunduar gjatë vitit 2018, kryetari Ahmeti”.
“Për më keq, ai në fund të vitit 2018 në vend se të përkushtohet më shumë që të i filloj dhe i përfundoj projektet në komunën e Prishtinës ka marr një përgjegjësi shtesë të cilën nuk dihet edhe atë se si e sa do të mund ta kryej por gjithsesi se komunën e Pirshtinës vecse e ka harruar dhe se po shihet çdo ditë e më shumë se projektet në komunën e Prishtinës po stagnojnë dhe njëkohësisht qyteti po ngec në zhvillimin e tij të përditshëm”, shtoi Ahmeti.
Ahmeti tha se tashmë kryetari ka filluar të tallet edhe me qytetarët pasi që ai vazhdimisht nga Brukseli kishte thënë se për të më e rëndësishme është komuna, por që ai po qëndronte në Buksel dhe jo në komunën ku ai e udhëheq.
“Qeverisja e tanishme është duke ecur si mos më keq, po e shihni ai madje ka filluar edhe të tallet publikisht edhe me qytetarët dhe opinionin publik. Unë dëgjova një deklaratë të tij nga Brukseli deklaronte se më e rëndësishme për të është Prishtina, nëse është ashtu le të kthehet në Prishtinë, thoshte komuna është më e rëndësishme nuk e di se a e kishte fjalën për komunën e Prishtinës apo të Brukselit”.
“Kryetari Ahmeti nuk e di se si do mund të vazhdojë kështu dhe si do vazhdojë qeverisja komunale në Prishtinë me një kryetar që nuk është këtu t’i menaxhojë punët dhe me një koalicion që ai nuk e menaxhon në komunën e Prishtinës sepse është koalicion i shumë partive, interesave, klaneve, interesave biznesore kështu që nuk di si do të mund të vazhdoj, por ata që po e paguajnë këtë çmim e këtë sjellje të kryetarit Ahmeti janë qytetarët e Prishtinës”, tha ai.
Ai tha se kryetari Ahmeti ka tradhëtuar dy herë votuesit e Prishtinës, njëherë në programin e zgjedhjeve i cili sipas tij, nuk po zbatohet fare dhe së dyti me anashkalimin e punëve të komunës.
“Kryetari Ahmeti tashmë po e bën tradhtinë e dytë ndaj votuesve të Prishtinës, fillimisht i ka tradhtuar kur tradhtoi programin me të cilin ka garuar në zgjedhje, ai ka garuar me një program në zgjedhje dhe ai program lëre që nuk zbatohet, por as nuk po planifikohet të zbatohet. Nëse e shihni kornizën afatmesme buxhetore e shihni që qeverisja e kryetarit Ahmeti nuk i ka përfshirë premtimet që janë në 100 pikëshin e vitit 2017, nuk janë të përfshirë si projekte në kornizën afatmesme buxhetore”, tha ai.
“Fillimisht e ka tradhtuar programin me të cilin ka fituar besimin para qytetarëve, tash po tradhton edhe punën e komunës në përditdshmëri përderisa ai në përditshmëri nuk po gjendet në punë dhe nuk po merret me punët e komunës, psh ai sot nuk është në komunë si do mund të koordinoj ai sot punët e komunës kur dihet se gjithë fokusi i tyre është tani tek negociatat me Serbinë ku po shihet se do jenë vetëm ca konsulent që ndoshta do të i bartin letrat e presidentit Thaçi”, shtoi Ahmeti.
Ahmeti tha se LVV-ja do të vazhdojë të përkrah projektet e komunës së Prishtinës të cilat janë në interes të qytetarëve, por ai është pesimist se në 2019 komuna do të zbatojë ndonjë projekt, raporton EO.
“Qytetarët na kanë besuar neve që të qeverisim në komunë, i kanë besuar programit të Vetëvendosjes dhe listës së Vetëvendosjes në qeverisjen e komunës, tash këta me zor na shtynë që të jemi opozitë në komunë e Prishtinës, ne sigurisht se do jemi opozitë, projektet që janë për të mirën e qytetarëve do të i përkrahim, por siç po shihet nuk po duket se do ketë shumë projekte të tilla gjatë vitit 2019 në komunën e Prishtinës”.
Qytetarët e Prishtinës po ashtu janë shprehur të pakënaqur me zhvillimin e komunës e sidomos me mungesën e kreut të Prishtinës.
Ata thanë se Ahmeti është dashur të jetë i përkushtuar në komunën që ai e udhëheq dhe jo në punët madhore që sipas tyre nuk është dashur t’i takojnë dhe t’i merr përsipër.
Basri Blakqori tha angazhimi i kryetarit Ahmetit në ekipin negociator e lë Prishtinën pa zotin e shtëpisë dhe kështu nuk mund të funksionojë mirë.
“Në shtëpi kur nuk është i zoti i shtëpisë a qeveriset shtëpia mirë, jo, njësoj është edhe komuna është dëm që shkon Shpend Ahmeti në bisedime kur i ka 100 mijë punë këtu”, tha Blakqori.
“Ekipi negociator ka shkuar, por është një ekip negociator që nuk meriton në përgjithësi 90% ata njerëz me shkuar sepse as nuk kanë dijeni, ata duhet me qenë akademik me qenë njerëz të mençur, më të pjekur, këta të gjithë janë të papjekur dhe të padije”, tha ai.
“Është tmerr, kjo udhëheqësi nuk e ka merituar me shkuar, por ka shkuar në mënyrë partiake nuk shkohet kjo, por për pushtet e shtet nuk bëhet me partia por duhet të zgjidhen njerëzit, të jenë të mençur e akademik që i dinë vuajtjet e popullit shqiptar këta asnjë nuk i kanë përjetuar”, shtoi ai.
Ruzhdi Bajoku tha se Ahmeti e ka lënë anash Prishtinën shumë dhe është tradhti ndaj votueseve të Prishtinës pasi që ai duhet të merret me qytetarët e Prishtinës dhe jo me punët që sipas tij, nuk i takojnë.
”Jo pak, por shumë e ka lënë anash, po tradhti është kjo sepse secili duhet me u marr me atë votën që ia ka dhënë duhet me ata njerëz me u marrë dhe atyre me iu dhënë përgjegjësi”, tha Bajoku.
“Ky votën e ka marrë prej popullit dhe tash shpinën e ka kthye knej edhe po merret me një punë që nuk është e tija hiq sepse ka plot të tjerë njerëz që kanë me u marr me këtë punë dhe jo kryetari i Komunës së Prishtinës”, shtoi ai.
Besart Maloku tha se neglizhenca e Ahmetit po tregohet dhe tani në këto kohë dimri me rrugët e bllokuara.
“Po mendoj se rrugët e Prishtinës në kohën e dimrit tregojnë më së miri se sa po merret Shpendi me Prishtinën, mendoj se nuk është në rregull me qenë kryetar i Prishtinës dhe në të njëjtën kohë me qenë në krye të delegacionit për një çështje kaq madhore dhe nuk e di se sa mundet me ia dal”, tha Maloku.
Ndërsa zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, i kontaktuar nga Ekonomia Online nuk ka dashur që të komentojë në lidhje me këto akuza.