Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmir Mullhaxha-Kollçaku, mohon se po kushtëzohen nga Lidhja Demokratike e Kosovës për ndarjen e posteve në negociatat për bashkëqeverisje.
Kollçaku, i tha “Gazeta Blic” se me LDK-në, deri më tani janë dakorduar vetëm për programin qeverisëse, kështu duke përjashtuar mundësinë e negocimit për ndarje postesh deri në këtë kohë.
“Ne nuk kemi pas asnjë kushtëzim nga LDK-ja në lidhje me ndarjen e posteve, krejt çfarë është bisedu deri tani është një përafrim programor, se është diçka bazike që duhet të ndodhë kur dy subjekte vendosin me bashkëqeveris. Ne jemi dakordu kryesisht sa i përket programit, tash edhe procesi zgjedhor është zvarrit aq shumë dhe jemi në procesin e rinumërimit të votave dhe bazuar në të dhënat që paraqiten ka gjasë që të përfundojë deri në fund të javës. Do presim edhe certifikimin e zgjedhjeve nga ana e KQZ-së. Kjo zgjatje ka kriju mundësinë që edhe këto dy subjekte mos të nguten shumë që të dalin me përfundime sepse është dhënë hapësirë që të përafrohen çështjet programore dhe të dakordohen mes vete grupet punuese. Tash ka mbet në fund edhe ndarja e dikastereve dhe njerëzit që do t’i udhëheqin këto dikastere të rëndësishme”, theksoi Kollçaku.