Mimoza Kusari-Lila, ushtruese e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, ka konfirmuar se i ka kërkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës garanci për votat për presidentin në mënyrë që të tërhiqen ndryshimet e propozuara nga Ligji për Zgjedhje, raporton Ekonomia Online.
“Unë kam kërkuar nga Arben Gashi se a mund ai të konfirmojë se LDK-ja do të jetë në seancë për të votuar për presidenten e Republikës së Kosovës gjë të cilën ai refuzoi ta thotë në mbledhjen e Kryesisë”, ka thënë Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë në të cilën u caktua që seanca për zgjedhjen e presidentit të mbahet me fillim prej orës 18:00.