Politikologu, Behlul Beqaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka filluar ta imitojë subjektin të cilin e ka akuzuar , duke iu referuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, me të cilën kishin thënë se nuk do të bashkëpunonin përderisa Isa Mustafa është në krye të kësaj partie, njofton Klan Kosova.
Ai tha se pozicionimi i Vetëvendosjes nga këndvështrimi i tij është shumë specifik, pasi që në të shumtën e rasteve e ka mbështetur VV-në në synimet e saj, por jo në të gjitha.
Megjithatë, në këtë situatë, ai tha se nuk e mbështet Vetëvendosjen pasi që ajo po rrezikon të bëhet sikur partitë tjera.
“Vetëvendosje me konsistencë i ka shtyrë disa ide deri në fund”, tha Beqaj në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Si të bësh një koalicion me dikë që dje ke deklaruar që nuk do të hysh kurrë në aleancë përderisa në krye të saj është Isa Mustafa?”
“Vetëvendosje po fillon ta imitojë subjektin të cilin po e akuzon”, tha Beqaj duke iu referuar LDK-së.
“Në krye të LDK-së është një person i cili tri herë e ka mashtruar edhe elektoratin e vet, edhe opinionin publik”, tha ai duke përmendur nënshkrimin me Behgjet Pacollin dhe Hashim Thaçin, “tradhtinë” që sipas tij ia kishte bërë Mustava VV-së kur ishte larguar nga VLAN, si dhe premtimin e tij parazgjedhor që nuk do të bënte aleancë me PDK-në.
“Në cilat ujëra, në çfarë binarë e orientime po shkon Vetëvendosje nëse dëshiron që tash të bëjë koalicion me LDK-në derisa është Isa Mustafa?”.
“Vetëvendosje do të bënte shumë mirë sikur të ishte konsistente dhe t’i ndihmonte LDK-së ta bëjë reformën e brendshme”.
“Nuk mund të bëhen ndryshime e reforma derisa është në krye të lidershipit Isa Mustafa”.