Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është duke pritur partnerin e tyre opozitar, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për mocionin për rrëzimin e Qeverisë.
LVV-ja tashmë është shprehur edhe publikisht që është e gatshme për seancën e mocionit për rrëzimin e qeverisë dhe se nëse do ishte mundësia atë mund ta bëjnë qysh nesër.
LDK-ja aktualisht është duke mbajtur procesin zgjedhor të brendshëm, që pritet të përfundoj brenda korrikut dhe se menjëherë do të marrin hapa për të rrëzuar Qeverinë e tanishme.
Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, në një prononcim për Ekonomia Online thotë se VV-ja nuk mundet të shkojë e vetmuar në këtë seancë pa u koordinuar edhe me partnerë dhe me faktorë tjerë në Kuvendin e Kosovës, e sidomos me LDK-në që ka pasur në vazhdimësi bashkëpunim.
“LDK-ja është shprehur që duan të kenë paraprakisht nënshkrimet e të gjithë deputetëve që janë të nevojshëm të votojnë. Por njëkohësisht supozoj që brenda LDK-së po zhvillohet një proces zgjedhor ku brenda korrikut do përfundoj ky proces dhe ata akoma do të jenë më të definuar se si do ecë, megjithatë e rëndësishme është që edhe LDK-ja ashtu si VV por edhe deputetët tjerë në Kuvendin e Kosovës duke përfshirë deputetët jo vetëm të opozitës janë të gatshëm të shkojnë në këtë seancë për mocionin e rrëzimit të qeverisë dhe të votojnë rrëzimin e qeverisë”, tha Selimi.
“Ne jemi të gatshëm të shkojmë tani, por në bashkëbisedim dhe në koordinim me partnerin tjetër do vendosim datën se cila do jetë më e përshtatshme për të gjithë, nuk mund ta vendosim njëanshëm një gjë të tillë pavarësisht gatishmërisë sonë për të shkuar qysh tani”, tha ai.
Selimi në lidhje me deklaratat e deputetëve të pozitës për guximin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë i quan të nivelit të ulët e përçmuese dhe se pozita asnjëherë nuk i ka demantuar opozitën me veprime që është dashur të i bëjnë.
“Retorika e mazhorancës në mënyrë provokative, përçmuese ndaj një gjëje që del të jetë jo vetëm e nevojshme por edhe e domosdoshme siç janë zgjedhjet e parakohshme vetëm na tregon se kemi të bëjmë me një qeveri të pa duhur dhe të padenjë për Kosovën”, tha Selimi për Ekonomia Online.
Selimi ka thënë se Qeveria ka hequr dorë edhe nga Parlamenti i Kosovës, i cili tashmë nuk është funksional.
“Ata do duhej të kishin përgjigje tjera, jo përgjigje të tilla retorike të nivelit të ulët, por do duhej të përgjigjeshin me punë, me luftë kundërkorrupsionit, me zhvillim të na demantonin, ata asnjëherë nuk na kanë demantuar dhe kushtet për të shkuar drejtë në zgjedhje ekzistojnë qysh nga dita e parë e kësaj qeverie kur ka humbur mazhorancën në Kuvendin e Kosovës, pastaj kur Parlamenti i Kosovës ka dal nga funksioni”, tha ai.
Ndërsa në lidhje me shkarkimin e ministrave të cilët kanë aktakuza, Selimi thotë se Qeveria nuk mund ta luftoj korrupsionin sepse i bie ta luftoj vetveten.
“Nuk mund ta bëj luftën kundërkorrupsionit Qeveria e korruptuar sepse i bie ta luftoj vetveten, në këto kushte e rrethana ku nuk ka parlament e qeveria është zhytur në korrupsion, madje kur qeveria nepotizmin dhe punësimet partiake i pranon me mburrje si diçka që ata janë të gatshëm ta bëjnë çdo ditë atëherë nuk kemi të bëjmë me një qeveri e cila mund ta luftoj korrupsionin e aq më tepër kur kësaj qeverie i mungon vullneti për ta bërë një gjë të tillë, prandaj në rrethana tjera do mund të luftohej korrupsioni jo me një qeveri të korruptuar”, shtoi Selimi.