Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme që konfirmoi ankesën e kësaj partie për numërimin e pakove me vota të ardhura nga jashtë Kosovës.
Vetëvendosje ishte ankuar në vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, me të cilin nuk lejohej numërimi i 4639 zarfeve me vota, për shkak se kishin arritur me vonesë në Kosovë, edhe pse ishin nisur në kohë.
Në ankesën e dytë të VV-së, Supremja vendosi që “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve detyrohet të bëjë numërimin e fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës”.
“Vendimi i Gjykatës Supreme konfirmoi ankesën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Sot në ora 16:19 morëm vendimin nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ku u konfirmua e drejta e bashkatdhetarëve tanë dhe më në fund u hap rruga për numërimin e pakove me vota të ardhura prej tyre”, thuhet në njoftim të Vetëvendosjes.
Kjo parti ka thënë se pret që sa më parë KQZ-ja të mblidhet për të marrë vendim për të vijuar me procedurat e verifikimit dhe numërimit të këtyre fletëvotimeve.
“E gjitha kjo mund të ishte evituar nëse prej 12 tetorit KQZ do të kishte lejuar administratën e KQZ-së që t’i numëronte këto fletëvotime”, thuhet në fund të reagimit.