Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës mbi ndërmarrjet publike, Telekomin dhe Postën e Kosovës dhe zbatimi i saj në gjashtë mujorin prej se është miratuar, ishte tema e konferencës e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.
Salem Lepaja, doktor i shkencave teknike si dhe anëtar i Komunitetit për komunikime elektronike, ka thënë se po vazhdon plaçkitja e Telekomit nga pushteti.
“Sot janë mbushë gjashtë muaj nga dita kur kuvendi e ka nxjerrë këtë rezolutë në lidhje me situatën në ndërmarrjet publike. Rezoluta heshtet nga kryeministri dhe qeveria derisa marrëveshja abuzive mes Telekomit dhe kompanisë Dardafon, përkatësisht z-mobile vazhdon. Pra vazhdon plaçkitje e Telekomit të Kosovës”, tha ai.
Lepaja ka thënë se janë disa mundësi që qeveria, por edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka do të mund të ndërprerin kontratën me z-mobile, por sipas tij asnjë nga këto mundësi nuk është shfrytëzuar.
“Qeveria e Kosovës nuk e ka pasë të vështirë ta ndërpresë këtë marrëveshje shumë të dëmshme që e ka thelluar krizën në Telekomin e Kosovës. Qeveria posedon 100 për qind aksionet e Telekomit dhe krejt çka është dashtë ka qenë të kërkojë ministrin Lluka që ta ndërpresë këtë marrëveshje. Ministri Lluka ka mundur ta ndërpresë marrëveshjen edhe pa pritur kërkesën nga kryeministri. Kryeministri ka mundur që këtë kontrate ta ndërprejë edhe përmes vijës partiake. Gjithashtu ka mundur nëpërmjet anëtarëve të bordit”, tha Lepaja.
Sa i përket operatorit serb ata e kanë licencën të kufizuar që në thelb është e pakufizuar sepse nuk ka datë të kufizuar.
“Për operatorin serb nuk dihet sa ka paguar, asnjëherë nuk është bërë publike pagesa me rastin e marrjes së licencës”, tha ai.
Ai ka kërkuar angazhim dhe përgjegjshmëri nga ARKEP.
Ai ka shtuar se as prokuroria e shtetit nuk po mund të vë drejtësi në këto ndërmarrje publike, teksa ka kërkuar që të hetohet kontrata.
“Sa i përket pikës 12, janë edhe dy zyrtarë të tjerë që mund ta ndalojnë këtë marrëveshje abuzive, janë kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi dhe kryeprokurori i prokurorisë speciale, Reshat Millaku. Prokuroria e shtetit nuk e zbaton rezolutën e kuvendit në një shtet demokratik. Jemi në një situatë ku prokuroria e hesht rezolutën e Kuvendit”, tha Lepaja, raporton EO.
Anëtari i Komunitetit për komunikime elektronike, Farban Bunjaku ka thënë se gjashtë muaj nga miratimi i kësaj rezolute ende nuk ka gjetur zbatim nga qeveria Haradinaj.
“Qeveria Haradinaj edhe një herë dëshmoj se ka plan të kapë bordet publike, sot bahen gjashtë muaj prej miratimit të rezolutës, me një akte të paprecedent duke mos e përfillur kuvendin”, tha ai, raporton EO.
Ai tha se kryeministri ka shmangur rolin dhe përgjegjësinë e Kuvendit.
U dëshmua paaftësia e tyre dhe vrulli tyre për keqpërdorime. Sot bëhen gjashtë muaj nga miratimi i rezolutës për Telekomin dhe Postën. Kërkesat e kësaj ende nuk janë zbatuar. Kryeministri ka shmang rolin dhe përgjegjësinë e kuvendit duke vënë në rrezik me vetëdije Telekomin. Rezoluta është obligative për qeverinë. Pse disa rezoluta zbatohen disa të tjera jo.
Ai ka thënë se pika e pestë e cila ka të bëjë me auditorin e përgjithshëm i cili obligohet të fillojë menjëherë auditimit të financave të Telekomit dhe Postës.