Deputetët e VV-së kanë refuzuar kërkesën e opozitës për të zhvilluar debat parlamentar rreth audio-incizimit të Mimoza Kusari-Lilës me Milan Radoiçiqin. Me 50 vota kundër, 35 për dhe një abstenim është pamundësuar mbajtja e debatit, raporton Ekonomia Online.
Në shenjë proteste, deputetët e opozitës e kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës. Pasi nuk kaloi kërkesa për debat parlamentar, deputeti Arben Gashi tha se e konsiderojnë të paarsyeshme të qëndrojnë në seancë.
Ai paralajmëroi se do të koordinohen për “veprime të mëtutjeshme”.
“Pas kësaj situate të krijuar e konsiderojmë të paarsyeshme që ne të vazhdojmë të jemi pjesë e kësaj seance, të shkojmë të koordinohemi për veprimet e mëtutjeshme”, tha ai.
Seanca është përcjellë me përplasje të shumta teksa në foltore doli edhe shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Kusari-Lila doli në foltore duke thënë se audio-incizimi i publikuar dje është tërësisht i fabrikuar. Ajo akuzoi opozitën se po i mungon Lista Serbe, që siç tha nuk është këtu qe “28 muaj”.
Teksa po fliste asaj iu vendos një shirit i verdhë ku shkruante “danger” apo rrezik. Shiritin e vendosi deputeti Haki-Abazi.
“Aq shumë po ju pengojnë se nuk janë këtu qe 28 muaj dhe i thirrni bashkëpunëtorë, bashkëpronarë. Kjo çka ka ndodh dje është fabrikim i plotë. Imagjinoni kur të dalin kush e ka vizitu Radoçjiqin e kush ka pasë biznese me të. Linçimet, sjelljet e ulta kanë me shkuar bashkë me juve siç keni me shkuar në zgjedhjet e 9 shkurtit”.