Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar aksion simbolik me ç’rast ka ngjyrosur muret e Ministrisë së Kulturës me mbishkrimin “Gratë të barabarta me burrat në institucione, punë dhe pronë”, raporton Ekonomia Online.
Aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu-Hyseni, tha se Ligji për Barazi Gjinore ka mbetur vetëm në letër.
“Shënuam në muret e institucioneve për të vënë në pah pabarazinë e madhe ku gruaja është shumëfish më e shtypur. Në Kosovë ekziston edhe Ligji për Barazi Gjinore, të drejtat që burojnë në atë Ligj kanë mbetur pothuajse vetëm në letër”, tha ajo.
Kryeziu-Hyseni tha se pjesëmarrja e gruas në institucionet e Kosovës ka mbetur vetëm simbolike.
“Në Kosovë gruaja është larg institucioneve, larg punës e pronës, shoqëria jonë është larg barazisë. Shteti ynë po etablohet si i pabarabartë. Prania e gruas në institucionet e Kosovës është krejt simbolike. Ç’kuptim ka të flasësh në delegacione e komisione pa gratë. Aktualisht rreth 82 përqind e grave janë të përjashtuara nga ekonomia e vendit”, tha ajo.
Një pakënaqësi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje e shprehën edhe për të drejtën e gruas në pronë.
“Në Republikën tonë poashtu ekziston edhe Ligji për Trashëgiminë, por në Republikën tonë vetëm 4 përqind e grave kanë pronë të trashëguar dhe kjo është plaçkitje që tolerohet me vetëdije nga noteri e deri tek sistemi më i lartë i drejtësisë. Pa gruan e pabarabartë nuk mund të ketë Republikë”, u shpreh ajo, raporton EO.
Pas këtij aktiviteti simbolik aty erdhën edhe ekipet policore të cilët ishin njoftuar për aksionin e sotëm të Lëvizjes Vetëvendosje, me ç’rast aktivisti Egzon Balaj u shoqërua në stacionin policor.