Kollçaku: Pas zgjedhjeve, koalicion me LDK-në është më se i natyrshëm

Prishtinë | 04 Sht 2019 | 10:04 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku në një intervistë për “Zërin” ka deklaruar se partia e saj përjashton çfarëdo mundësie të lidhjes së një koalicioni paszgjedhor me cilindo subjekt, i cili ishte pjesë e qeverisë “Haradinaj”. Rrjedhimisht, sipas saj, partneri i vetëm për koalicion mbetet Lidhja Demokratike e Kosovës, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndonëse ka dështuar arritja e një koalicioni parazgjedhor mes dy partive opozitare në legjislaturën e kaluar, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), një bashkëpunim në mes të dyja partive mund të ndodhë pas zgjedhjeve të 6 tetorit nëse LDK-ja e pranon liderin e LVV-së Albin Kurtin për kryeministër të qeverisë së ardhshme.

Kështu ka deklaruar nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku, e cila në një intervistë për “Zërin” ka thënë se partia e saj ka vija të kuqe për partitë, të cilat ishin pjesë e qeverisë së kaluar. “Një bashkëpunim mes opozitës së legjislaturës së kaluar mbetet më i natyrshëm, sepse do të ishte jo e drejtë për ne të lidhnim koalicion me dikë që ka udhëhequr ose ka keqqeverisje në këtë mandat dhe të dalim të kërkojmë votën e qytetarëve me një subjekt, i cili ka qenë deri më tani në pushtet. Kështu që bashkëpunimi opozitar është shumë i logjikshëm dhe i natyrshëm”, ka deklaruar ajo.

Ish-deputetja e LVV-së ndër të tjera ka folur edhe për kandidaturën e Vjosa Osmanit për kryeministre, për arsyet e dështimit të koalicionit parazgjedhor mes LDK-së dhe LVV-së, si dhe për planprogramin qeverisës të partisë së saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme