Lëvizjes Vetëvendosje qendra në Gjakovë, po deklaron se u është vjedhur vota e asamblistëve të kësaj partie në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjakovës.
Sipas një njoftimi për media, VV thotë se numërimi i votave është bërë gabim.
“Gjatë mbledhjes së sotme të Kuvendit të Komunës së Gjakovës, në pikën e dytë të Rendit të Ditës “Shqyrtimi i Propozim Vendimit për ndryshimin e vendimit të Kuvendit të Komunës së Gjakovës 01 nr. 011-78935/2015 të datës 27.10.2015 për Shpalljen e Interesit Publik të Monumentit Kulturor dhe Historik “Kulla e Sylejman Vokshit”” nga Sekretaria e Kuvendit dhe Kryesuesi i Kuvendit të Komunës z. Anton Shala, u tha që vendimi në fjalë ka kaluar me vota: 16 Për, 15 Kundër dhe 1 abstenim”, thuhet në njoftimin e VV-së në Gjakovë.
Sipas VV, si të tillë e kundërshtuan sepse numërimi i votave është bërë gabim.
“Sipas të dhënave në incizimet mediale dhe deklarimit të secilit asamblist të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Alternativa, LDK dhe NISMA, del që kundër këtij vendimi kanë votuar 16 asamblistë dhe vetëm 15 kanë qenë PËR. Pra LVV ka 4 asamblistë, Alternativa 6 asamblistë, LDK 3 asamblistë dhe NISMA 3 asamblistë, gjithsej 16 vota KUNDËR. AAK 8 asamblistë, PDK 4 asamblistë dhe PSHDK 3 asamblistë në total 15 vota PËR. Shpend Kumnova (i pavarur) ka abstenuar”, thuhet tutje në njoftim.
Vetëvendosje në Gjakovë, këtë veprim e konsiderojnë të qëllimshëm dhe poshtërues për Kuvendin Komunal dhe qytetarët e Gjakovës.
“Kërkojmë që urgjentisht të merren masa adekuate sipas normave ligjore, që ky vendim të hidhet poshtë ngase përbën manipulim dhe vjedhje të votës. Kërkojmë sa më parë që personat përgjegjës për këtë manipulim dhe vjedhje të vihen para drejtësisë. I bëjmë thirrje Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL) që të marrë masa të menjëhershme”, thotë njoftimit.
“Edhe një herë, deklarohemi që jemi KUNDËR revokimit të vendimit për shpalljen e interesit publik për Kullën e Sylejman Vokshit dhe pronave përreth. I bëjmë thirrje Qeverisë komunale, dhe partive në pushtet, që mos ta rikthejnë këtë vendim për rishqyrtim ngase tashmë është hera e dytë që brenda një periudhe të shkurtër që Kuvendi i Gjakovës e hedhë poshtë atë”, përfundon njoftimi i LVV në Gjakovë.