Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë nënshkruar koalicion për qeverisje lokale në Komunën e Mitrovicës. Kjo marrëveshje politike është nënshkruar nga kryetari i Degës së AKR-së, njëherësh kryetar i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe kryetarit të Qendrës së VV-së në këtë qytet, Faruk Mujka.
Në një komunikatë shtypi të Vetëvendosjes, theksohet se qyteti i Mitrovicës është i rëndësishëm për shkak të pretendimeve ekspansioniste që ka Serbia karshi pjesës veriore. “Për këtë duhet një qasje politike që i përgjigjet këtyre pretendimeve. Qëndrimet e kryetarit të Mitrovicës kanë qenë edhe parimore dhe konsistente. Në këtë drejtim dhe me këtë synim Lëvizja Vetëvendosje ka arritur marrëveshje të bashkëqeverisjes me kryetarin Bahtiri, në këta muaj të mbetur të qeverisjes”.
“Ne mendojmë se situata politike dhe e sigurisë në Mitrovicë është jashtëzakonisht e ndjeshme dhe kjo duhet të nënkuptojë angazhim më të shtuar të forcave që besojnë në një Mitrovicë të zhvilluar, prosperuese dhe që merren me probleme të dala që nga paslufta deri më tani. Me këtë marrëveshje politike, ne angazhohemi për një qeverisje lokale profesionale, të guximshme dhe të ndershme”.
Lëvizja Vetëvendosje do të drejtojë Drejtorinë e Shëndetësisë, Drejtorinë e Arsimit dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport. Kurse nënkryetari i komunës së Mitrovicës do të jetë Faruk Mujka.
VV zotohet zotohet se do ta kryejë me përgjegjësi të plotë dhe me përkushtim obligimin që ka marrë për këto drejtori.