Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë për medie, e ka vlerësuar procesin e sotëm zgjedhor, si të rregullt përgjithësisht.
Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se Vetëvendosje po prin bindshëm në Prishtinë dhe se do të jetë grupi më i madh i asamblistëve.
Madje, ai thotë se ka gjasa që Vetëvendosje do të fitojë pa balotazh në kryeqytet. “Pritet që Lëvizja Vetëvendosje do të hyjë në balotazh në afërsisht në 10 komuna”, tha Ymeri.
Ai pret fitore në Gjilan, Podujevë, Kaçanik dhe Novobërdë.
Megjithëse Vetëvendosje nuk ka fituar asnjë komunë, Ymeri u shpreh se “VV është dhjetëfishuar”, duke e argumentuar këtë se më 2013 fituan një komunë, ndërsa tani po fitojnë në 10 sosh.
“Më 2013 kur VV mori pjesë në zgjedhje, hymë në balotazh në Prishtinë, nga ku edhe filloi ndryshimi dhe ne arritëm të fitojmë Komunën e Prishtinës. Sot po prijmë bindshëm në Prishtinë dhe ku do të jetë numri më i madh i asamblistëve dhe duket se do të fitojmë bindshëm”.
Sipas tij, “të ashtuquajturat parti të mëdha – PDK e LDK” kanë rënie, raporton Ekonomia Online.
“Kemi parë që edhe PDK edhe LDK dolën dhe e shpallën fitoren”, tha Ymeri, sipas të cilit këto dy parti janë edhe më keq se në zgjedhjet e 11 qershorit.
“Ky proces zgjedhor e dëshmon që këto subjekte janë duke u tkurrur vazhdimisht, ndërsa VV po rritet nga 1 komunë më 2013 në 10 sosh”, u shpreh kryetari i VV-së.
“Përkundër disa parregullsive, Lëvizja Vetëvendosje e vlerëson si të rregullt këtë proces deri tash”, përfundoi Ymeri.
Ndërsa, Glauk Konjufca nuk tregoi nëse do të ketë marrëveshje koalicioni në Prishtinë, nëse shkohet në balotazh.
Ai tha se po presin të fitojnë pa balotazh.
“Jemi duke pritur numërimin e të gjitha vendvotimeve për të konfirmuar nëse Prishtina do të fitojë pa balotazh”, tha ai.
“Ne do të shohim sa asamblistë i kemi dhe do të shohim për të filluar negociatat për të bashkuar asamblenë në mënyrë që të mos na ndodhë siç na kishte ndodhur me LDK-PDK që na bënin bllokadë”.
“Për dallim kur Vetëvendosje i kishte 10 asamblistë dhe tash numri do të jetë shumë më i madh”, u shpreh Konjufca.