Washingtoni dhe Brukseli ndëshkuan Kosovën kur pushteti priste sanksione ndaj Serbisë

Prishtinë | 10 Nën 2022 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës po besonte se nuk po bënte diçka gabim në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kur po priste që Serbia të sanksionohej nga ndërkombëtarët, nga Washingtoni i erdhi një ndëshkim dhe nga Brukseli një goditje.

Kryeministri Albin Kurti tha të hënën se tensionimi i situatës në veri të vendit erdhi si rezultat i përpjekjeve të intensifikuara të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për destabilizim. Kështu, Kurti tha se ai dëshiron ta kamuflojë refuzimin për planin franko-gjerman për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian shprehën zhgënjim me Kosovën për mosshtyrjen edhe për 10 muaj të zbatimit të vendimit për zëvendësimin e targave të automjeteve që lëshohen nga Serbia.

Qeveria e Kosovës madje mori ndëshkimin e parë nga Amerika. Disa anëtarë të kabinetit qeveritar që kishin planifikuar të niseshin për SHBA, u ndaluan.

Kjo erdhi kur Kosova në fakt po e priste të kundërtën: që SHBA-ja dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë të ndërmerrnin diçka kundër Serbisë.

“Serbia nuk e ka pranuar propozimin franko-gjerman dhe deri tani nuk po shoh sanksione nga shtetet e huaja, ndoshta i shohim më vonë”, ka thënë të mërkurën kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në një intervistë në Klan Kosova.

Për deklaratën në lidhje me Serbinë, Kurti madje mori një goditje edhe nga Brukseli.

“Ne nuk jemi në dijeni që zoti Kurti është zëdhënës i Qeverisë së Serbisë, prandaj për pozicionin e Serbisë do të ishte e duhur të kërkohet përgjigje nga autoritetet serbe”, i ka thënë të mërkurën “Reporterit” një zëdhënëse e Bashkimit Europian.

SHBA-ja dhe BE-ja po e përsërisin vazhdimisht një kërkesë të identike, që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës dhe që Prishtina zyrtare t’i shtyjë masat për targat dhe të nis themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Të ngjashme