Weber: Pa kthimin e serbëve në institucione s’mund të ketë zbatim të marrëveshjeve

Prishtinë | 12 Maj 2023 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, mendon se Kosova dhe Serbia do ta kenë të vështirë të zbatojnë marrëveshjen e arritur në Bruksel, me situatën aktuale në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Weber thotë për Radion Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian bëri gabim kur arriti një marrëveshje mes dy shteteve në fillim të këtij viti pasi shumica e serbëve të Kosovës në veri u dorëhoqën nga institucionet nga nëntori i vitit të kaluar dhe ende nuk ka plan për rikthimin e tyre.

“Pa u zgjidhur kjo çështje, mendoj se nuk do të shohim zbatim të marrëveshjes bazë dhe kjo është ajo që po shohim, jo vetëm nga (Marrëveshja e)Brukselit, por edhe nga marrëveshja për Aneksin e Zbatimit në Ohër”, tha Weber.

Kosova dhe Serbia, aktualisht, janë duke diskutuar për çështjen e themelimit të një Asociacioni të komunave me shumicë serbe.

Më 2 maj, Qeveria e Kosovës refuzoi një draft-statut që iu prezantua për këtë asociacion, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, propozoi një “draft-vizion” të tij për këtë qëllim gjatë një takimi që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Vizioni i tij, siç thotë Kurti, bazohet në një model kroat për pakicat kombëtare dhe siç tha më 11 maj, ai është i interesuar që të bashkëpunojë “për ta shkruar e definuar edhe më tutje këtë vizion për komunitetin serb në Kosovë”.

Duke e komentuar këtë propozim të Kurtit, Weber thotë se problemi nuk qëndron te një model apo tjetër i Asociacionit, por tek i gjithë koncepti i një bashkimi një-etnik me rrezik të keqpërdorimit nga Serbia.

“Kjo është sfida që nuk mund të zgjidhet nga asnjë model. Pra, duhet të gjendet një rrugë e mesme në mes të implementimit të kësaj ideje (të Asociacionit), por duke e bërë në diçka që mundet në të vërtetë të forcojë qeverisjen lokale, por edhe diçka që nuk ndërtohet në një formë që në të ardhmen mund të përdoret si një vegël për Serbinë që të përzihet në çështje të brendshme të Kosovës”, thotë ai.

Sipas Weberit, arsyeja pse Asociacioni si i tillë mund të shkaktojë problem është për faktin se serbët e Kosovës (shumica) udhëhiqen nga një parti- Lista Serbe- e cila ka lidhje të njohura me Beogradin.

Ai thotë se demokratizimi i politikës së këtij komuniteti duhet të bëhet me intervenimin e Perëndimit.


I dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Mirosllav Lajçak, vizitoi Kosovën dhe gjatë vizitës bisedoi edhe me qytetarë e përfaqësues politikë të serbëve në veri.

Lajçak u takua edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe në Mitrovicën e Veriut.

Ai tha se qëllimi i vizitës së tij në veri ishtë që të marrë ” informacionin e dorës së parë nga njerëzit që jetojnë këtu për të parë se si e shohin situatën ata”.

“Ajo që dëgjova më shqetësoi. Ne duhet të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të përqendrohemi plotësisht te normalizimi”, shkroi ai në një postim në Twitter.

Pas takimit, Lista Serbe njoftoi se me Lajçakun biseduan për situatën politike dhe të sigurisë dhe se vlerësojnë që Prishtina “çështjet e hapura i zgjidh me lëvizje të njëanshme dhe dhunë institucionale”.

Lista Serbe deklaroi se nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve që janë mbajtur në komunat në veri.

Më 23 prill të këtij viti, në katër komunat me shumicë serbe në Kosovë u mbajtën zgjedhjet lokale për kryetarë komunash. Këto zgjedhje u shpallën pasi shumica e serbëve të asaj zone dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. Serbët, në përgjithësi, i bojkotuan zgjedhjet dhe në katër komuna u zgjodhën përfaqësues shqiptarë përmes votave nga një dalje shumë e ulët e votuesve.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhje dolën 1.567 votues apo 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të qytetarëve atje me të drejtë vote.

Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është arritur në vitin 2013, por nuk është zbatuar kurrë.

Serbia ka këmbëngulur në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa Kosova ka thënë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.

Të ngjashme