Werder Bremeni nuk do ta lejojë Milot Rashicën t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës në futboll në ndeshjet e nëntorit.
Kosova në këtë muaj do t’i ketë gjithsej tri ndeshje. Fillimisht, më 11 nëntor, Kosova do të luajë miqësoren vëllazërore me Shqipërinë në “Elbasan Arena” kurse më pas do t’i ketë dy duelet e fundit të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve.
Më 15 nëntor luan në udhëtim kundër Sllovenisë derisa tri ditë më vonë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, e pret Përfaqësuesen e Moldavisë.
Në arsyetimin e Werderit thuhet se klubi e ka marrë këtë vendim për t’i mbrojtur futbollistët e ekipit nga koronavirusi.
I vetmi lojtar që është lejuar t’i bashkohet përfaqësueses është portieri çek Jiri Pavlenka, për shkak se Republika Çeke do të luajë kundër Gjermanisë në Leipzig.