Werner tashmë e di çfarë do në verën e vitit 2020. Ai dëshiron të ndërrojë ambient dhe skuadra që pëlqen është ajo e Jurgrn Klopp, Liverpooli.
Sulmuesi 24-vjeçar gjerman Timo Werner po kalon një formë të shkëlqyer këtë sezon, teksa në 18 ndeshje ka arritur të shënojë 20 gola dhe të japë 6 asiste, duke ndihmuar skuadrën e Leipzigut që të mbajë kryesimin e renditjes në Bundesligë.
Paraqitja e Werner nuk ka kaluar pa u vënë re nga Bayern Munchen, që ka tentuar disa herë ta afrojë, por pasja në organikë e një emri si Robert Lewandowski, që gjithashtu shënon në ritme të frikshme, i ka stepur bavarezët.
Kjo ka bërë që në garë të futen dy skuadrat e Premier Leagues, Chelsea dhe Liverpool, të cilat shohin te gjermani një sulmues për të tashmen dhe të ardhmen, ndaj investimi i një shifre prej 70 milionë eurosh për kartonin e tij nuk do të ishte aspak i tepruar.
Sipas mediave në gjermani, 24-vjeçari beson se klubi ideal për të është Liverpooli, për shkak edhe të prezencës të një trajneri si Jurgen Klopp.
Werner luan prej 4 sezonesh si protagonist te Leipzig, teksa në 206 ndeshje, ka shënuar 83 gola, ndërsa numëron edhe 11 gola në 29 ndeshje me kombëtaren gjermane.