Ish-futbollisti i Interit dhe Real Madridit, Wesley Sneijder, ka nënshkruar për klubin nga Katari, Al-Gharafa.
Mesfushori holandez ka nënshkruar kontratë 18 mujore me klubin e tij të ri.
33-vjeçari ndërpreu bashkëpunimin me Galatasarayn në muajin korrik, ndërsa së fundmi i ka zhvilluar katër ndeshje me klubin francez, Nice.
“Është një aventurë e këndshme dhe një sfidë argëtuese”, ka deklaruar Sneijder për RTL Boulevard.
“Jam vërtet i lumtur që po e nis këtë së bashku me familjen time”, ka shtuar ai.
Te Al-Gharafa, mesfushori do të bashkohet me ish mesfushorin e Manchester Cityt, Vladimir Weiss.
Klubi i tij është i shtati në Ligën e Yjeve, në të cilën marrin pjesë vetëm 11 skuadra.
Gjatë karrierës, Sneijder ka fituar tituj në Holandë, Itali dhe Spanjë, ndërsa i ndihmoi Interit ta fitonte Ligën e Kampionëve në vitin 2010.