Williamson ndërron biçikletën me sajë

Prishtinë | 07 Dhj 2019 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Çiklistja Vicky Williamson ka bërë një ndryshim të papritur në karrierën e suksesshme sportive. Williamson do të kalojë nga çiklizmi në bobsleigh, pasi ka përfunduar një kamp të suksesshëm stërvitor me ekipin e Britanisë së Madhe të bobsleighit.

Williamson fitoi një medalje bronzi në kampionatin botëror në disiplinën e sprintit në çiklizëm në vitin 2013 dhe së bashku me Becky Jamesin konsiderohej si çiklistja më e suksesshme në Britani. Ajo ishte pjesë e ekipit britanik prej vitit 2010, kurse ka fituar medalje edhe në kampionatin botëror elitar dhe në atë të juniorëve. Në fakt, ajo është ndër çiklistet më të dekoruara britanike në disiplinën e sprintit, shkruan sot Koha Ditore.

26-vjeçarja thotë se këtë ndryshim në sport e ka bërë për shkak të lëndimeve që i ka marrë në çiklizëm si pasojë e përplasjeve që ka pasur. Williamson në fillim të këtij viti ishte kthyer në garat e çiklizmit pas një pauze prej vitit 2016, kur në një garë të mbajtur në Rotterdam, pësoi lëndime të rënda në disa pjesë të trupit.

“Trupi im ishte i copëtuar nga lëndimet. Përplasja në vitin 2016 ma ndryshoi jetën dhe më futi në mendime për të gjetur një sport tjetër elitar, pasi nuk mund të hiqja dorë kaq lehtë nga sporti në të cilin jam e përfshirë prej moshës së re”, thotë Williamson. “Kështu që, papritmas më erdhi ideja për bobsleigh dhe vendosa të transferohem në këtë sport. Jam shumë e mërzitur që po largohem nga çiklizmi ku kam pasur shumë suksese, por njëkohësisht jam e lumtur dhe e emocionuar që po futem në një sport tjetër që është tepër interesant dhe që gjithashtu mund të më ofrojë medalje”.

Pak orë pasi zyrtarizoi ndërrimin e sportit, Williamson u përfshi në listën e ekipit të Britanisë së Madhe që pritet të paraqitet në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Williamson pjesëmarrjen në këtë ngjarje e sheh si mundësi të mirë për të përfunduar në podium në një sport që, sipas saj, është më pak i rrezikshëm sesa çiklizmi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme