Sipas disa raporteve, në periudhën menjëherë pas luftës së vitit 1999, në Kosovë kishte rreth 50 vrasje në javë. Krimet prekën të gjitha komunitetet, përfshirë shqiptarët. Po të mos ishin akuzat e trafikimit të organeve, këto raste mund të mos ishin trajtuar kurrë, thotë Clint Williamson, kreu i Task Forcës Speciale Hetuese (SITF) për Bashkimin Evropian në 2011, raporti i të cilit përfundimisht çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në 2015. Në vitin 2020 DHSK më në fund lëshoi aktakuzat e para.
Në të gjithë artikujt rreth Gjykatës Speciale të Kosovës kohët e fundit, një emër mungon – Clint Williamson, kreu i Task Forcës Speciale Hetuese (TFSH/SITF) për Bashkimin Evropian në vitin 2011. Raporti i tij përfundimisht çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK/KSC) në vitin 2015. Në vitin 2020, DHSK më në fund lëshuan aktakuzat e para — më e spikatura ajo kundër ish-presidentit Hashim Thaçi dhe udhëheqësit të PDK-së, Kadri Veseli.
Williamson filloi karrierën e tij si prokuror në Shtetet e Bashkuara dhe më pas në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për Ish-Jugosllavinë (TPNJ/ICTY). Ai u bë ambasador special për krimet e luftës në Ish-Jugosllavi dhe më pas mori rolin e tij në TFSH.
Williamson ka punuar në rastet në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, përfshirë edhe rastin më të madh që është ndjekur ndonjëherë nga TPNJ: Rasti i Kosovës. Në fillim ai përfshinte Sllobodan Millosheviçin por pasi ai vdiq, pesë ish-udhëheqës ushtarakë u ndoqën penalisht dhe u shpallën fajtorë për krime në Kosovë.
Williamson tani është anëtar i institutit John McCain në Washington D.C.
Shumë nga faktet rreth rasteve të Gjykatës Speciale të Kosovës dhe vetë gjykatës janë të zhytura në propagandë politike nga shumë anë. Mirëpo duhet kuptuar që këto akuza nuk janë të reja. Si OSBE-ja, ashtu edhe Human Rights Watch raportuan për shumë prej akuzave në mënyrë të plotë. OSBE tha se në një moment kishte rreth 50 vrasje në javë në Kosovë. Krimet prekën të gjitha komunitetet, përfshirë shqiptarët.
Në kohën kur Carla Del Ponte, ish-prokurore e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë (TPNJ), shkroi për trafikimin e mundshëm të organeve në autobiografinë e saj, “I, Prosecutor”, këto akuza kishin ekzistuar për gati dhjetë vjet. Por Del Ponte dhe TPNJ nuk u lejuan t’i hetojnë akuzat. “Carla Del Ponte kishte kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i KB-së që mandati i TPNJ të zgjatej përtej periudhës së konfliktit të armatosur [të luftës në Kosovë] dhe ta lejojë atë të merret me rastet edhe në Shqipëri, por Këshilli i Sigurimit e refuzoi këtë.” Williamson thotë: “Nuk mendoj se kishte një motiv politik; ishte më shumë thjesht çështje e lodhjes së gjykatës që TPNJ kishte krijuar. Askush nuk e parashikoi që [TPNJ] të vazhdonte për 25 vjet.”
Williamson tha se po të mos kishin qenë ato akuza për trafikim të organeve, këto raste mund të mos ishin trajtuar kurrë.
Trafikimi i organeve “tërhoqi vëmendjen e botës së gjerë. Nuk jam i sigurt sikur kjo të mos kishte ndodhur, nëse do të kishte aq momentum prapa këtij procesi,” thotë ai.
Njëzet vite pas krimeve të pretenduara, më në fund u ngritën aktakuzat. Williamson dëshiron të sigurohet që të dimë se akuzat për trafikim organesh ishin të kufizuara. “Siç e thashë në deklaratën time për gjetjet në vitin 2014, ne kishim gjetur disa prova që kjo praktikë kishte ndodhur, por në një shkallë shumë, shumë të kufizuar, që në fakt afroheshin shumë me ato që bëri [Dick] Marty. Marty gjithashtu kishte pohuar se “kjo ishte shumë e kufizuar në shkallë, dhe se ishte vetëm një grusht njerëzish”. Williamson thekson: “Ky dimension shtesë i krimit mund të them se nuk ndodhi në një shkallë të gjerë”. Këto akuza nuk janë të përfshira në aktakuzat aktuale.
Po për frikësimin e dëshmitarëve të Kosovës? Williamson thotë se, sigurisht, është problem jo vetëm këtu por edhe gjetiu. Mirëpo ndërlidhja e një vendi të vogël e bën atë veçanërisht të vështirë. Ai thekson se media nuk ka luajtur rol aq pozitiv: ”Sigurisht ka pasur disa raste të izoluara në fakt të dhunës që është drejtuar ndaj dëshmitarëve”.
Williamson shton: “E gjithë kjo e ka bërë të vështirë trajtimin e këtyre rasteve në mënyrë efektive. Mendoj se kjo është në një masë të madhe ajo që çoi në domosdoshmërinë e krijimit të gjykatës speciale, që këto raste nuk mund të zgjidheshin; nën UNMIK-un, nën EULEX-in, nën sistemin gjyqësor të Kosovës kur përfshihen figura të larta nga lufta e kaluar. ”
Në fund të fundit viktimat janë ato për të cilat po zhvillohet ky proces. “Kjo nuk është një përpjekje për të rishkruar historinë. Por është një përpjekje për të mbajtur përgjegjës ata njerëz që kanë kryer krime nga të dyja palët. Dhe kjo nuk do të thotë, në asnjë mënyrë, që pakëson vuajtjet që përjetuan shqiptarët e Kosovës gjatë asaj periudhe kohore. Nuk është përpjekje për të thënë se lufta në të cilën u angazhua Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ndërmarrje kriminale në vetvete. Drejtësia Ndërkombëtare ka të bëjë krejt me këtë – individualizimin e fajit ndaj atyre që vendosën t’i kryejnë këto krime.”
Autori i tekstit është Bronwyn Jones ekskluzivisht për New Perspektiva