Rambuje ishte mundësia e fundit që Kosova të mbetet pjesë e Jugosllavisë.
Kështu ka deklaruar diplomati austriak Wolfgang Petritsch, i cili mori pjesë në negociatat e Rambujesë.
“Ishte e qartë se bashkësia ndërkombëtare do të merrte përgjegjësinë për ruajtjen e Kosovës brenda Jugosllavisë”, tha ai në konferencën “Njëzet vjet që nga bombardimet e Jugosllavisë, mësime për sigurinë evropiane në shekullin 21” që po mbahet në Beograd, transmeton Klan Kosova.
Më 6 shkurt të vitit 1999 i kishte nisur punimet Konferenca e Rambujesë, takim ky që u mbajt në afërsi të Parisit të Francë dhe synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.
Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Cristopher Hill nga SHBA-të, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich, përfaqësues i shteteve të BE-së.
Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos t’u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara, transmeton Klan Kosovva.
Edhe rrethi i dytë i bisedime që nisën më 15 mars në Paris përfunduan pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte firmosur marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projekt-marrëveshjen politike- marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.
As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Hollbrooke nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.
Kësisoj, më 24 mars 1999, aeroplanët e NATO-s filluan bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë.