Xani: Mospërputhja e deklaratave të Osmanit dhe Gërvallës për Asociacionin tregon që politika e jashtme është minimale

Prishtinë | 29 Sht 2023 | 18:18 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik, Visar Xani, ka komentuar deklaratën e zëvendëskryeministres së Kosovës, Donika Gërvalla, e cila ka thënë se ka vdekur Asociacioni i 2013-tës.

Xani tha se kjo deklaratë e ministres së Punëve të Jashtme nuk përputhet me atë se çfarë ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Sipas tij, këto moskoordinime tregojnë që politika e jashtme e Kosovës është minimale.

“Mbrëmë e patëm deklaratën e Gërvallës që e quajti të vdekur këtë pjesë, ndërsa më herët presidentja e Kosovës tha komplet diçka tjetër. Kjo realisht për momentin po tregon që politika e jashtme e Kosovës dhe koordinimi i rëndësishëm që na duhet është pothuajse minimal”, tha analisti politik në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Ai tha se nëse vdes marrëveshja e 2013-tës, atëherë mund të krijohet pjesa e vetëmenaxhimit që sipas tij është edhe më e rrezikshme.

“Nëse ka vdekur Asociacioni i vitit 2013 dhe një Asociacion i tillë është konstatuar që është konform frymës kushtetuese edhe nga Gjykata Kushtetuese iu ish bë thirrje Qeverisë së Kosovës të themelojë sipas marrëveshjes së 2013-tës, atëherë çfarë ka tjetër në tavolinë të gjallë zonja Gërvalla. A është menduar pra pjesa e vetëmenaxhimit që të krijohet diçka tjetër që për mendimin tim mund të jetë diçka edhe më e rrezikshme, nëse vdes marrëveshja e 2013-tës, për shkak që marrëveshja e 2013-tës në parim duket që i përmbush disa kritere kushtetuese edhe pse donë kujdes dhe donë hapa të vlerësimit të Kushtetutës, por që nuk është ndesh as me kërkesat e faktorëve ndërkombëtarë, as me kërkesat e Kosovës, por që donë veprime konkrete”, shtoi ai.

Mbrëmë në televizionin Top Channel, Gërvalla ka deklaruar se “Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët”, duke shtuar se Asociacioni i 2013-tës është kundër kushtetutës së Kosovës dhe nuk mund të bëhet.

Të ngjashme