Xhafer Gashi kandidon për deputet nga radhët e LDK-së

Prishtinë | 07 Dhj 2025 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka njoftuar se do të kandidojë për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në një postim, Gashi ka kujtuar angazhimin e tij 12-vjeçar në krye të komunës, duke thënë se gjatë kësaj periudhe ka punuar me përkushtim për transformimin e qytetit.

“Pas 12 viteve angazhim si Kryetar i Komunës së Obiliqit, kam pasur fatin që me punë dhe përkushtim të kontribuoj në transformimin e qytetit tonë. Gjatë këtyre viteve kam dhënë maksimumin në zhvillimin e komunës, në zbatimin e ligjeve dhe realizimin e projekteve të rëndësishme, duke punuar gjithmonë me përgjegjësi dhe në shërbim të qytetarëve të Obiliqit,” ka shkruar ai.

Ai ka thënë se tani ka ardhur koha për një kapitull të ri në karrierën e tij politike.

“Tani ka ardhur koha për një hap të ri. Do të jem kandidat për deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, me synimin që t’u shërbej me përkushtim të gjithë qytetarëve,” ka deklaruar Gashi.

Të ngjashme