Granit Xhaka beson se Zvicra mund të bëjë gjëra të bukura në Kampionatin Evropian.
Turqi vs Itali ishte ndeshja hapëse e “Euro 2020” që u zhvillua në Olimpico të Romës.
Të besuarit e Roberto Mancinit e fituan këtë ndeshje me rezultat të pastër, 3-0.
Nga ora 15:00, do të zhvillohet ndeshja tjetër në Grupin A, në mes të Uellsit dhe Zvicrës.
Nga minuta e parë për Zvicrën pritet të zbresin në fushë Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Admir Mehmedi.
Në konferencë për media, për të folur para kësaj ndeshje, për Zvicrën doli kapiteni, Granit Xhaka.
“Jemi përgatitur mirë javëve të fundit. Natyrisht pritjet janë të mëdha në këtë turne, fillimisht nga ne, më pas pritjet janë edhe nga tifozët. Ne kemi treguar se mund të bëjmë shumë. Por, ne shkojmë hap pas hapi, ndeshje pas ndeshje dhe do të shohim në fund se deri ku do të arrijmë”, u përgjigj Xhaka kur u pyet nëse Zvicra ka skuadër të arrijë në çerekfinale.
“Ndeshja e parë është gjithmonë e rëndësishme, nëse e fitoni të parën, kjo ju jep besim dhe kurajo për sfidat e radhës”.
“Stadiumet gjysmë të mbushura? Ne kemi shumë lojtarë me eksperiencë që kanë luajtur para shumë tifozëve, kështu që nuk përbënë diferencë nëse ka pak apo shumë tifozë në stadium, kryesorja është që ne të fitojmë ndeshjen dhe të bëjmë paraqitje të mirë”.
“Ne e respektojmë kundërshtarin, por nëse luajmë siç dimë ne kundër Uellsit, s’do të ketë asnjë komplikim. Duhet ti respektojmë sepse kanë lojtarë shumë të mirë, lojtarë që luajnë shumica në Premierligë, shpresojmë të jetë ndeshje e mirë dhe të bëjmë paraqitje të mirë”.
Gjatë ditës së sotme do të zhvillohen edhe dy ndeshje tjera, ato të Grupit B.
Nga ora 18:00 do të përballen Danimarka me Finlandën, derisa nga ora 21:00 do të luajnë favoritët e grupit, Belgjika me Rusinë.