Granit Xhaka është i bindur se Zvicra nuk do të humbë nga Portugalia e Cristiano Ronaldos
Mesfushori Granit Xhaka është i bindur se përfaqësuesja e Zvicrës do të nxjerrë të paktën një pikë në ndeshjen kundër Portugalisë.
Xhaka në një intervistë dhënë “fifa.com”, ka theksuar se për Zvicrën ndeshja që do të luhet të martën (sot, 20:45) në Lisbonë kundër Portugalisë, do të jetë sikur një finale e kampionatit botëror.
Ndeshja Portugali – Zvicër është e fundit kualifikuese e Grupit B për kampionatin botëror “Rusia 2018”, përcjell Koha Ditore.
Si Zvicra ashtu edhe Portugalia synojnë që biletën për botëror ta sigurojnë direkt. Vetëm vendi i parë shkon direkt, vend të cilin aktualisht e mban Zvicra me 27 pikë pas nëntë ndeshjeve, kurse vendi i dytë ku gjendet Portugalia me 24 pikë shkon në barazh.
“Ndeshja kundër Portugalisë për mua pothuajse është si një finale e kupës së botës. Të gjitha ndeshjet që i kemi fituar deri tash janë të parëndësishme nëse humbim këtë, prandaj na duhet një fitore e re. Ne kemi vetëbesimin e nevojshëm. Duhet të jemi të përgatitur për çdo gjë”, ka deklaruar ai.
“Ne nuk kemi nevojë të hidhemi në sulm që nga minuta e parë. Portugalia është në një nivel tjetër dhe duhet të kërkojmë rezultat gradualisht. Jam i bindur se mund të përfundojmë të parët në grup. Unë jam i sigurt që mund ta mposhtim Portugalinë ose patjetër të fitojmë një pikë”, ka thënë Xhaka.
Zvicrës i mjaftojnë edhe barazimi ose edhe një humbje e ngushtë, pasi në ndeshjen e parë e ka mposhtur Portugalinë 2:0. Pjesë e Zvicrës janë edhe Xherdan Shaqiri, Blerim Xhemaili e Admir Mehmedi. Zvicrës për shkak të lëndimit do t’i mungojë Valon Behrami.