Anëtarja e PDK-së, Arbana Xharra, e ka kritikuar Vetëvendosjen pse nuk e kandidoi asnjë grua për kryetare në ndonjë komunë të Kosovës, për zgjedhjet lokale që mbahen më 22 tetor.
Ish-gazetarja, e cila para pak muajsh iu bashkua PDK-së, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Vetëvendosja ka bërë shkelje “eklatante” të të drejtave të grave.
Postimi mban titullin: “Albin, gratë nuk janë vetëm depo mobile gazi lotsjellës!”, një aludim i qartë për shfrytëzimin e deputeteve të kësaj partie për të futur gazin lotsjellës gjatë legjislaturës së kaluar në Kuvend.
Postimi i plotë i Xharrës:
Albin, gratë nuk janë vetëm depo mobile gazi lotsjellës!
Cila është prapavija që në zgjedhjet lokale LVV nuk kandidon asnjë grua? I ka më shumë ndoshta se shumë parti tjera. Madje organizata këmbekokë për-muri donë të na bind të jetë vetë çerdhja e feministeve shqiptare. Pse ky paradoks? Nuk besojmë se filozofi Albin Kurti ta ketë marrë aq seriozisht atë konstatimin e Sokratit që thoshte: “gruaja e barabartë (me burrin) bëhet superiore“ dhe ka frikë se ia kontestojnë nesër liderizmin. Jo. As nervoz me Margaret Thatcherin nuk besoj të jetë bërë, pasi ajo thoshte: “Nese doni që në politik të thuhet diçka patjetër angazhoni një politikan, nëse doni që të bëhet diçka gjejeni një politikane“.
Ja nuk iu bashkëngjitmi atyre që u akuzojnë se rrihni gratë e kundërshtarëve. Le të presim që të bëhet Kosova njëherë me drejtesi si duhet. Por se i nënçmoni edhe të tuaja këtu shihet.
Si ta kuptojmë ndryshe këtë dështim kaq eklatant të përmbysjes së zërit të gruas pikërisht në këtë parti? Pse asnjë kandidate? Ta kuptojmë si nënçmim, si respekt ndaj forcave ekstraislamiste që ua rritën votën dhe gratë i duan vetëm me ferexhe e jo si kryekomunare apo si çka?
Hajt tash edhe kjo kauzë me të drejtat e grave del rrenë, ashtu si antiborgjezia para kravatës, ashtu si shteti i Kosovës para se donit pushtet që nuk e njihnit e tash po, ashtu si…
Nëse ky popull ka vesh e sy të paturbulluar nga eklipsi ideologjik e demagogjik që ia keni bërë pëlhurë një ditë madje do t’iu ndëshkojë edhe për këtë shkelje të të drejtave të gruas, respektivisht për shpërdorimin e saj, sikur ajo të ishte vetë shportë për bombola gazi e për hiç ma shumë!