Anëtarë i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka thënë se nuk e përjashton koalicionin me Vetëvendosjen pas zgjedhjeve.
Në një intervistë për Periskopin, Xhavit Haliti i PDK’së thotë se në të ardhmen partitë politike nuk duhet të kenë vija të kuqe sepse kjo sipas tij, do ta mundësonte një qeveri që e çon deri në fund mandatin.
Haliti nuk e ka përjashtuar një koalicion PDK-Vetëvendosje derisa duke komentuar sondazhet e kësaj të fundit, thotë se çdo parti mund të bëjë sondazhe – përfshirë edhe PDK-në – që e nxjerr veten edhe me 75%.
“Për mua qeveri stabile dhe me interes për Kosovën, do të ishte një koalicion i madh, i fuqishëm dhe i përgjegjshëm që ndërton politika shtetërore, dhe jo politika të lagjeve, jo politika të partive, dhe jo politika të individit, kjo është e domosdoshme tjerat s’kanë aspak rëndësi. Unë nuk e besoj që mund të krijohet koalicion parazgjedhor mes VV-PDK, por unë besoj në përgjegjshmërinë e njerëzve që e duan vendin dhe duan ta çojnë përpara dhe jo ta stagnojnë kështu siç ka ndodhur këto 5-6 vitet e fundit, por t’i japin një shtytje rregullimit të shtetit, kjo do të thotë të mos ketë askush vija të kuqe por të kemi dallime në programe, dhe unifikimi në programe, bërja e politikës shtetërore për qeverisje është shumë e rëndësishme”, ka thënë ai.