Asamblisti Xhelal Hajrullahu pas gjashtë vjetëve angazhim, ka marrë vendim që të jap dorëheqje nga të gjitha strukturat përfaqësuese të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai ka bërë të ditur se ndër arsyet që e kanë shtyrë të jap dorëheqje është moshpërndarja e përgjegjësive në proporcion të barabartë në bazë të meritokracisë, transmeton Klan Kosova.
“Mospajtimet në Lëvizje janë shfaqur nga aktivistë dhe qytetarë të shumtë para dhe pas zgjedhjeve lokale me kandidimin për kryetar komune, të deleguar nga niveli qendror, e që rezultoi me humbje të këtyre zgjedhjeve”.
“Gjendja u përkeqësua edhe më shumë pas qarjeve të mëdha që ndodhën në nivel qendror e që u manifestuan me dorëheqjen e një numri të caktuar të figurave që kanë bartur funksione brenda subjektit në nivel lokal. Një vit pas këtyre zhvillimeve kam menduar se Lëvizja do të transformohet dhe do të mbetet faktor shumë i rëndësishëm i jetës politike në Komunën e Gjilanit”.
“Pavarësisht këtyre proceseve problematike të brendshme, Lëvizja Vetëvendosje! – Qendra në Gjilan nuk arriti me kapërcye këtë sëmundje dhe po vazhdon ende me avazin e vjetër”.
“Mos shpërndarja e përgjegjësive në proporcion të barabartë në bazë të meritokracisë; Injorimi dhe shpërfillja e anëtarëve dhe krijimi i favoreve për ata që janë të dëgjueshëm; Privatizimi i Lëvizjes dhe vendimmarrja e koncentruar tek një numër i vogël personash”.
“Për këto arsye dhe shumë tjera, unë kam marrë vendimin më të vështirë në jetë për mua dhe për familjen time, aktin e dorëheqjes”.