Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, ka vendosur që Xhemë Veseli, drejtor i Departamentit të Transportit Tokësor në këtë ministri dhe Ramë Qupeva, drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore të udhëheqin negociatat për fillimin e linjës direkte hekurudhore me Serbinë.
Veseli do të jetë kryesues i këtij ekipi, ndërsa Qupeva anëtar.
Në vendimin e Lekajt, thuhet se kryesuesi mund të kërkojë mbështetje edhe nga zyrtarët tjerë apo këshilltarë të jashtëm.
Pika e dytë e vendimit thotë që marrëveshja e mundshme përfundimtare duhet të jetë konform Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi të Kosovës.
Në takimin që pritet të mbahet sot në Berlin, Serbia do të përfaqësohet nga Marko Gjuriq, drejtor i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.
I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, në një bisedë telefonike për gazetën “Koha Ditore” të premten, kishte bërë të ditur se është arritur marrëveshja në parim për hapjen e transportit hekurudhor ndërmjet shteteve.
Grenelli kishte thënë se gjatë vizitës në Prishtinë dhe asaj në Beograd, të premten ka marrë pajtimin e të dy palëve për këtë marrëveshje, për të cilën nga e hëna pritet të negociohen detajet në nivel ekspertësh.
Derisa këtë marrëveshje ai e kishte konsideruar si hap tjetër të rëndësishëm dhe pozitiv, ka thënë se pret që konkludimi dhe zbatimi i të dy marrëveshjeve të bëhet sa më parë që të jetë e mundur, duke mos dashur të japë data apo afate.