Militantët xhihadistë në Burkina Faso i kanë vrarë 35 civilë, shumica gra, pasi e sulmuan një pikë kontrolli në provincën veriore, Soum.
Dhuna që shpërtheu në qytezën Arbidua, afër kufirit me Malin, zgjati disa orë, sipas një deklarate të ushtrisë. Në këtë sulm u vranë edhe shtatë pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 80 militantë.
Në mesin e 35 civilëve të vrarë ishin 34 gra. Presidenti i Burkina Fasos, Roch Marc Kabore, i shpalli dy ditë zie kombëtare për shkak të këtij sulmi.
“Aksioni heroik i ushtarëve tanë e ka bërë të mundur që të neutralizohen 80 terroristë. Ky sulm barbar e shkaktoi vdekjen e 35 civilëve, shumica prej tyre gra”, tha presidenti Kabore.
Për vite të tëra, Burkina Faso është përfshirë nga ekstremizmi islamik që është parë edhe në Mali, ku ushtria franceze u detyrua të ndërhyjë për t’i larguar nga pushteti grupet xhihadiste nga disa qytete.
Sulmet e shpeshta në pjesët veriore dhe lindore të shtetit kanë ndikuar që më shumë se një milion njerëz të zhvendosen nga shtëpitë e tyre, bazuar në të dhënat e Kombeve të Bashkuara, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.
Ndonëse ushtria e Burkina Fasos është trajnuar nga Franca dhe Shtetet e Bashkuara, ajo deri më tash ka dështuar që ta çrrënjosë dhunën ekstremiste.