Gjykata në Prishtinë vendos për katër xhihadistët e kthyer nga Siria

Prishtinë | 21 Pri 2019 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës për paraburgim ndaj katër kosovarëve të kthyer nga Siria, Gjykata Themelore e Prishtinës u ka caktuar paraburgim prej 30 ditësh katër të dyshuarve se kanë luftuar për Shtetin Islamik, që janë kthyer dy ditë më parë në Kosovë.

Vazhdimi i paraburgimit të katër burrave u bë me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

Institucionet e shtetit, në koordinim me ushtrinë amerikane kanë kthyer të premten mbrëma 110 persona në Kosovë. Prej tyre 32 gra, 74 fëmijë të lindur nga njëri prind me shtetësi kosovare (9 prej tyre u janë vrarë prindërit në luftën e Sirisë) dhe 4 burra, që dyshohet se kanë luftuar për organizatën terroriste ISIS.

Katër personat konsideroheshin nga organet e drejtësisë si persona me rrezikshmëri të lartë. Emrat e tyre janë Agon Misini, Arijan Kryeziu (Krujezi), Rexhë Tafaj dhe Visar Qukovci.

Ndërkaq fëmijët dhe gratë e rikthyera nga Siria, janë vendosur në Qendren e Azilkërkuesve në Vranidoll të Prishtinës.

Aty do të qëndronin 72 orë, para se tu dorëzoheshin familjeve që kanë në Kosovë.

Prokurori Special, Sylë Hoxha ka thënë për Gazetën Metro se kërkesën për paraburgim në Themelore e kanë dorëzuar të shtunën.

“Ne i kemi pas nën hetim katër prej këtyre që janë kthy, dhe menjëherë si janë kthy në Kosovë ne e kemi fillu procëdurën penale ndaj tyre, dhe e kemi dorëzuar kërkesën dje në afatin e paraparë ligjor tash gjykata vendos për masën e paraburgimit. Sot merret vendimi, është afati ligjor janë të obliguar si ne si ata me i përfill afatet”, ka thënë Hoxha .

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme