Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, sot ka pritur në takim Komisionerin e lartë të OSBE-së për Pakica Kombëtare, Lamberto Zannier
Në këtë takim Ministri Yagcilar dhe Komisioneri Zannier, bashkëbiseduan për integrimin e komuniteteve jo-shumicë në shoqëri, duke u përqendruar në mënyrë të veçantë në respektimin e të drejtave të minoriteteve në Kosovë.
Në këtë kuadër, Ministri Yagcilar e njoftoi Komisionerin Zannier, me pakon ligjore të reformës së administratës publike, ku foli për reforma dhe ndryshime të rëndësishme që këto ligje do t`ia sjellin Kosovës. Ai po ashtu foli edhe për gjendjen e shërbimit civil dhe situatën e komuniteteve në këtë kuadër.
Ministri theksoi se vendosja e standardeve të reja me legjislacionin e ri, do të transformojë procesin e rekrutimit në shërbimin civil, digjitalizimi në këto procese do të forcojë punësimin në bazë të parimit të meritës për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës duke e përfshirë edhe komunitetet jo-shumicë në vendin tonë.
Komisioneri Zannier, duke falënderuar për mikpritjen, u shpreh i vendosur për thellimin e bashkëpunimit, dhe inkurajoi zhvillimet pozitive në garantimin dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve në Kosovë.