Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Hoyt Brian Yee, ka thënë në një seancë të mbajtur për Ballkanin Perëndimor në Senatin amerikan se rajoni përballet me sfidat më serioze që nga viti 1990.
Në seancën ku foli zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, senatorë dhe ekspertë bën thirrje për vazhdimin e angazhimit amerikan në Ballkan me qëllimin të zmbrapset ndikimi rus, të shmanget përshkallëzimi i krizave e të mbështeten reformat dhe stabiliteti. Yee tha se nëse kërcënimet e jashtme dhe të brendshme nuk marrin përgjigje, ato mund të kenë pasoja serioze për Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe ShBA-në.
Yee përmendi disa përparime të arritura me mbështetjen amerikane, përfshirë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri, shkruan TCh.
“Me angazhimin tonë dhe të Evropës, gjatë muajit të kaluar kemi parë disa suksese reale. Hyrja e Malit të Zi në NATO, udhëheqësit e Maqedonisë bashkëpunuan për të formuar një qeveri të re, opozita e Shqipërisë ra dakord që t’i japë fund bojkotit dhe të marrë pjesë në zgjedhje më 25 qershor dhe Serbia pritet të hapë dy kapituj të rinj me Bashkimin Evropian këtë muaj”, sqaroi ai.