Mbrojtësi i Chelsea, Antonio Rudiger, u ka bërë thirrje autoriteteve t’i gjejnë tifozët të cilët ushtruan racizëm ndaj tij në stadiumin e Tottenhamit në Londër dhe shpreson se diskutimi publik për racizmin në futboll do të ngel në mendjet e njerëzve.
Përfaqësuesi i Gjermanisë ishte cak i thirrje raciste nga tifozët në fitoren e Chelseat 2:0 ndaj Tottenhamit të dielën në Premierligë, pasi ishte përfshirë në një incident që i kushtoi Son Heung-menit me karton të kuq.
Rudiger i informoi zyrtarët e ndeshjes për abuzimet e dyshuara raciste dhe si pasojë tifozëve iu bë thirrje t’i përmirësojnë sjelljet.
Pak orë pas ndeshjes, 26-vjeçari e përdori Twitterin për ta vazhduar bisedën për racizmin në futboll, duke shpresuar se fajtorët do të gjenden dhe do të ndëshkohen për veprimet e tyre.
“Është pikëlluese ta shohësh përsëri racizmin në një ndeshje futbolli, por mendoj se është shumë e rëndësishme të flitet për të në publik. Nëse nuk bëhet, atëherë do të harrohet brenda dy ditëve si gjithmonë”, shkroi Rudiger në Twitter.
“Vërtet shpresoj se kryerësit do të gjenden dhe do të ndëshkohen shumë shpejt”, shtoi ai.