Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, në një postim të gjatë në Facebook ka shkruar për vizitën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kosovë.
“Gazimestani” i Vuçiqit dhe (pa)përgjegjësia e Thaçit, e ka titulluar reagimin e tij, ish-kreu i Vetëvendosjes.
“Më 1989, lideri fuqiplotë i Serbisë, Millosheviqi pati zgjedhur Gazimestanin për t’u paraqitur si mbrojtësi i serbëve të Kosovës. Më 2018, lideri fuqiplotë i Serbisë, Vuçiqi zgjodhi Veriun e Kosovës për t’u paraqitur si mbrojtësi i serbëve të Kosovës. Viktimizim për zbatim planesh në emër të ripërkufizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, midis shqiptarëve dhe serbëve. Rrethana të reja, qëllimi i njëjtë, metoda ndryshe.
Gazimestani i Millosheviqit ishte hyrje në një kapitull të ri, edhe me mjete luftarake. Rezultati dihet”, ka thënë Ymeri.
Sipas tij, veriu i Kosovës i Vuçiqit synon hyrje në një kapitull të ri, me mjete paqësore, në marrëveshje me Hashim Thaçin.
“Rezultati nuk dihet”, ka thënë ai.
“Defilimi i Vuçiqit nëpër territorin e Kosovës, vendet që i vizitoi, kishte për qëllim ta demarkojë ‘terrenin e tij’ ashtu siç bën ujku. Këtë ia ndihmuan edhe krerët institucionalë të vendit me mosveprimin e tyre. Kështu Vuçiqi ‘bën’ ta vizitojë veriun e Ujmanin por jo edhe pjesët tjera. Nëse nuk kemi problem me vizitën e Vuçiqit atëherë nuk do të duhej të na pengonte vizita e cilësdo pjesë të Kosovës nga ai. Nëse kemi problem me këtë vizitë, atëherë na pengon kudo që ai ka shkuar”, ka thënë Ymeri.
Sipas tij, Hashim Thaçi i cili po e shpërfill Kuvendin e Republikës së Kosovës ka më shumë se kurrë përgjegjësi politike dhe historike t’i njoh dhe njoftojë institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës për projektin e tij për marrëveshje me Vuçiqin.
“Paqja e nevojshme midis Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve e serbëve, nuk mund të ndërtohet me procese jotransparente dhe me takime të mbyllura nga sytë e publikut”.