Ymeri kërkon nga anëtarësia mobilizim për protesta

Prishtinë | 24 Kor 2016 | 13:52 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në mbledhjen zgjedhore të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj lëvizjeje, ka kërkuar mobilizim nga anëtarësia për aksione në kundërshtim të marrëveshje së Demarkacionit me Malin e Zi.

Ai ka thënë se qeveritarët po provojnë ta rikthejnë në tyrezë këtë çështje, por partia që drejton ai është e vendosur që ta ndalë këtë.

“Qeveritarët tanë siç duket do të provojnë të rikthejnë në tryezat politike çështjen e demarkacionit. Por ne jemi të vendosur ta ndalim çdo dëmtim të tillë, që është katastrofal për tërësinë territoriale të kësaj Kosove që është çliruar me gjak”, ka thënë Ymeri.

Tashmë, sipas Ymeri, kanë nisur të planifikojnë e të organizojnë aktivitetet e rezistencës.

“Kërkoj, në cilësinë e kryetarit, nga të gjithë ju, që ta keni prioritet organizimin e aksioneve e protestave që do të ndërmarrë Lëvizja kundër demarkacionit. Sepse së bashku, nëse tregojmë të njëjtin vetësakrifikim, kemi për ta ndalur sërish. Me çdo kusht”, ka shtuar Ymeri.

Ai shtoi se sot ka shumë anëtarë të cilët janë delegatë të rinj, që nuk kanë qenë më parë pjesëmarrës në këtë forum.

“Këshilli i Përgjithshëm është organi më i lartë vendimmarrës në Lëvizjen Vetëvendosje, ku midis aktivistëve të përzgjedhur nga qendrat, mbizotërojnë vlerat e sinqeritetit dhe drejtpërdrejtë sisë, modestisë e vetësakrifikimit, punës edhe thellimit intelektual. Për këtë arsye, është përgjegjësi e madhe për secilin nga ne pjesëmarrja dhe puna jonë këtu, sepse në këtë organ e përfaqësojmë besimin dhe punën, idealet dhe pritshmëritë, shpresën dhe ëndrrat e atyre dhjetëra mijëra aktivistëve që na kanë votuar dhe na kanë sjellë të gjithëve këtu”, ka thënë ai.

Ai ndër të tjera përmendi tri arsye se pse kjo Lëvizje sipas tij ka rritje.

“Së pari, janë betejat tona, qëndresa jonë në krahun e të drejtës. Pa u lodhur e pa e marrë parasysh interesin vetjak qytetarë të shumtë i janë bashkuar Vetëvendosjes në këto beteja, për të ndalur projektet tepër të dëmshme për sovranitetin dhe shtet ndërtimin e Kosovës, që ishin Zajednica dhe Demarkacioni. Falë betejave tona të përbashkëta ne mbërritëm të forconim pozitën politike të argumenteve tanë. Dhe arritëm ta ndalim me sukses edhe Zajednicën, edhe Demarkacionin, të cilat Mustafa e Thaçi deshën t’i zbatonin qysh në shtatorin e 2015”, shtoi Ymeri.

Kreu i VV-së ka thënë se Protestat e tyre masive, gatishmëria për aksione brenda e jashtë Kuvendit dhe refuzimi i frikës përballë shtypjes policore dhe burgut kanë qenë momente të vështira, përballë një pushteti siç e ka quajtur ai, antipopullor dhe despotik.

“I kemi parë zyrat tona të thyhen, deputetët tanë të nxirren zvarrë prej Kuvendit, dhe aktivistët tanë të privohen prej të drejtave qytetare e politike. Por sa më e fortë dhuna e padrejtësisë, aq më e fortë rezistenca e së drejtës, aq më e fortë drita e së vërtetës që kemi mbërritur të ndezim në vetëdijet e qytetarëve”

“Qytetarët na sprovuan edhe kësaj radhe, e panë se qëndrimet tona janë të njëmendta, e jo taktika për pushtet, dhe ndaj na u bashkëngjitën, kur panë se i detyruam edhe Gjykatën Kushtetuese, edhe Kuvendin, që të mos i avancojnë projektet e dëmshme”, ka përfunduar Ymeri.

 

Të ngjashme