Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, thotë se me pranimin e kodit telefonik +383, Republika e Kosovës bëhet pjesë e Serbisë në fushën e telekomunikacionit.
Ymeri thotë se Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) i ndau për përdorim kodin +383 “rajonin gjeografik të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë”, siç thuhet në letrën që Sekretari Gjeneral i ITU-së i dërgoi ministrit serb të sektorit, si përgjigje në letrën e këtij të fundit të datës 2 dhjetor dërguar ITU-së.
Gjithnjë sipas Ymerit, ITU zotohet se këtij rajoni gjeografik, pra “Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë”, do t’i referohet si “Kosovo” dhe në secilin rast kur në anekset teknike përdoret ky emërtim, ai do të jetë i përcjellë me fusnotën e njohur tashmë.
Sipas kreut të Vetëvendosjes, çmimi që do të paguajë Kosova është shkelja e sovranitetit.
“Telekom Srbija” do të zgjerohet në Kosovë; Thirrjet nga Kosova në Serbi do të trajtohen si thirrje të brendshme pa pasur nevojë për përdorimin e prefiksit +383, thekson Ymeri.
“Këtij Telekomi i falet një pjesë e infrastrukturës së telefonisë, duke vepruar kështu në përputhje me pretendimet e Serbisë se prona publike e shoqërore në Kosovë është e saj. Ky është precedent i rrezikshëm në raport me energjetikën, Trepçën, Brezovicën, Fondin e Privatizimit, etj”.
“Kompanisë së Telekomit të Serbisë i falen 1 miliard e 202 milionë borxhe të akumuluara gjatë viteve të pasluftës së ndërhyrjes ilegale brenda sistemit të telekomunikimit dhe mospagesës së detyrimeve karshi PTK-së e Buxhetit të Republikës së Kosovës”, thotë Ymeri.
Nga ana tjetër, kompania amnistohet nga krimet e bëra në Kosovë në periudhën 1990-1999. “Ky është bilanc jashtëzakonisht negativ. Prandaj nuk duhet pranuar”.
Ymeri kërkon nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP ), që në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim, të mos nënshtrohet politikisht e ta japë licencën për “Telekom Srbija”.
“Këta janë Autoritet i pavarur dhe kanë përgjegjësi ta ndalin këtë pushtim të Serbisë në fushën e telekomunikacionit. PTK në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim nuk bën t’ia jap pronën e telekomunikimit Kompanisë publike të Serbisë. PTK është ndërmarrje në pronësi të publikut në Kosovë dhe duhet t’i japë llogari qytetarëve e jo pushtetarëve”, përfundon Ymeri.