Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ka thirrur konferencë për media për të folur për zhvillimet e fundit politike në vend.
Ai tha se Serbia kohët e fundit ka shtuar provokimet ndaj Kosovës, qëllimi i të cilave është pamundësimi i Republikës së Kosovës, dhe mos realizimi i sovranizimit të saj, raporton Ekonomia Online.
“Të gjitha këto ndërhyrje Serbisë iu mundësuan nga negociatat pakushte e pa parime dhe koncesionet e vazhdueshme ndaj saj. Rruga e negociatave dhe koncesioneve ndaj Serbisë si dhe eksponentët kryesorë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa, nuk janë zgjidhja, por janë vet problemi”, tha ai.
Ymeri tha se për të ndryshuar gjendja për së miri këta të fundit duhet të japin dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Prandaj këta tre, me këtë mendësi, me këto synime e qëllime, duhet të largohen sa më shpejt nga pozitat e tyre institucionale, që t’i hapin rrugë Republikës së Kosovës. Zgjedhjet demokratike e ndryshimi rrënjësor i politikës institucionale, veçanërisht karshi Serbisë, janë rruga përpara. Jo ndërmarrjet a ndërhyrjet e pjesshme për interesa personale, të uzurpatorëve të Republikës”, tha ai.
Ai tha se Kosovës sot nuk i duhet lufta, duke thënë se një gjë të tillë e dëshiron Serbia, ngase ajo ka qenë kolonizatore dhe që mban një pjesë të territorit nën okupim dhe kontroll.
Shtrirjen e sovranitetit sipas Ymerit nuk e pengojnë bashkëqytetarët serbë, as të ndonjë etnie tjetër, por strukturat paralele të Serbisë.
Ymeri në fund ishte një lutje edhe për shtetet që e kanë ndihmuar Kosovën.
“Po ashtu, i bëj thirrje të gjithëve, shteteve mike të Republikës së Kosovës, atyre që e kanë njohur dhe e kanë ndihmuar Kosovën, që t’i kthejnë sytë kah Ballkani, dhe ta kuptojnë se e vetmja formulë për paqe është drejtësia dhe dekolonizimi, ashtu siç e ka kërkuar vazhdimisht Lëvizja Vetëvendosje, e jo paqëtimi e pranimi i orekseve neokolonizuese e hegjemoniste të Serbisë”, tha ai.