Partia Socialdemokrate (PSD) ka kërkuar që urgjentisht Qeveria e Kosovës të ndërmerr masa për rregullimin e pagës minimale në vend, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, nënkryetari i kësaj partie, njëherësh deputeti, Visar Ymeri, tha se duhet të kalohet nga paga minimale në atë për të jetuar. Ai tha se pret që në seancën e së hënës apo gjatë kësaj jave të votohet rezoluta që i kërkohet ekzekutivit përgjegjësi për pagën minimale.
“Prej 2011 ka pasur rritje ekonomike pasuria është akumuluar por paga minimale ka mbetur e njëjtë. Rritja e pagesës minimale është masa e parë emergjente. PSD propozon që ndarja me 130 duhet të hiqet menjëherë ne duhet të kalojmë nga paga minimale tek paga për të jetuar. Ne presim sot ose gjatë kësaj jave ta zhvillojmë këtë interpelancë që ta diskutojmë dhe përmes rezultues të kërkohet përgjegjësi që të nxjerrë vendim që paga minimale të rritet dhe të lidhet me koeficientet e sektorit publik”, u shpreh Ymeri, raporton EO.
Ai poashtu prezantoi propozime konkrete, ku kërkoi që Qeveria të rrit pagën minimale në 250 euro.
“Duhet të ndërmerret masë urgjente që paga minimale të rritet në shumën prej 250 euro, kjo rritje duhet të përfshijë të gjithë të punësuarit pa dallim moshe dhe gjinie”, tha ai.
Ymeri shtoi se kanë kaluar nëntë vjet prej se institucionet nuk janë marrë me çështjen e pagës minimale. Madje sipas tij, kanë kaluar 70 ditë prej se është dorëzuar kërkesa për interpelancë në lidhje me këtë çështje.
“Po vazhdon seanca me shumë pika të mbetura e njëra prej tyre që e kemi dorëzuar për 4 shkurt është për interpelancë sot me 15 prill pra kanë kaluar 70 ditë prej se është dorëzuar kërkesa dhe interpelanca po pritet të vijë në rend ditë. Paga minimale është vendosur në viti 2011 kanë kaluar 9 vite prej se institucionet më nuk janë marr me këtë çështje”, tha ai.
Deputeti i PSD-së përmendi edhe rastet të cilët kjo parti i ka vizituar nëpër sektorë të ndryshëm të vendpunimeve në Kosovë.
“Ne jemi takuar me të punësuarit për pastrim dhe mirëmbajtje në rrobaqepësi, në punëtorët aty e shumë ndërmarrje tjera. Njëra grua me tha se paga minimalë është 170 euro që i bije 1.40 për secilin anëtarë me këto duhet të vendosim një muaj të ushqeheni e të lëmë anash veshmbathjen e muajin tjetër të paguajmë e të lëmë anash veshmbathjen ndërsa fatura e muajin tjetër të shpenzohet në barna. Të jesh i rrezikuar nga varfëria do të thotë të mos jesh i ngopur me ushqim. Të jesh i rrezikuar prej varfërisë është e pamundshme të mos hapësh fletoren tek dyqani i afërt”, tha Ymeri.