Në tubimin në Rahovec kryetari i Vetëvendosje-s Visar Ymeri prezantoi listën e kandidatëve të zonës duke thënë se secili është më i mirë se tjetri dhe më i mirë se cilido kandidat në listat e këtyre zgjedhjeve.
Në vazhdim, mbi lidhjen e ngushtë të Lëvizjes me popullin, Ymeri tha, “mbështetja juaj është e thjeshtë dhe e qartë siç janë të gjitha punët e mira, siç është edhe diskutimi ynë për Republikën. Idetë tona për të ndërtuar Kosovën kanë ardhur nga populli i Kosovës, nga ata njerëz që dhanë jetën e punuan për vendin. Të gjithë këta, me zemër, na kanë dhënë pa kufizim edhe ndihmë, edhe ide, edhe përkrahje.”
Për Ymerin idetë e Vetëvendosje-s janë vizioni i vetë qytetarëve për Republikën e Kosovës. Ndërsa përballë dhe në kundërshtim me Lëvizjen, sipas tij, “janë ata që vinë të veshur me arrogancë, që nuk dëgjojnë dhe që duan një popull memec.” Ymeri përsëriti vizionin e Lëvizjes duke thënë se, “objektivi ynë është të ndërtojmë një shoqëri ndryshe për të jetuar. Ku qytetarët nuk kanë vetëm një punë ku paguhen, por edhe një vend të dinjitetshëm në shoqëri.”
Në funksion të këtij ideali, kryetari i Vetëvendosjes-s rikutoi premtimin për realizimin e ligjit për mbrojtjen e prodhimeve vendore dhe njësimin e tregut për këto prodhime me Shqipërinë.
Sipas tij, ky ligj po ashtu forcon pozitat e shqiptarëve në rajon. I bindur në programin e Lëvizjes, Ymeri tha se “qeverisja e Vetëvendosjes-s do t’i mbjellë tokat, do të ndriçojë mendjen dhe do të hapë zemrat.”
Ymeri po ashtu nuk ngurroi së sulmuari kundërshtarët e tij politik duke thënë, “organizimi që kanë ngritur pushtetarët nuk është Republika, por Prontokracia. Me 11 qershor i japim fund me vijën tonë të kuqe Prontokracisë.” Në mbyllje të tubimit u ripërsërit zotimi i Lëvizjes se “ne jemi të vendosur që asnjë sakrificë e popullit të mos shkojë kot”.