Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, thotë se me zgjedhjen e Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së , situata në këtë parti do të ndryshojë duke e rikthyer besimin tek elektorati, por megjithatë nuk sheh ndonjë mundësi të rikthimit të Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Përkundër faktit se Abdixhikun e konsideron si person jashtëzakonisht të përgatitur politikisht, Ymeri nuk mendon t’i bashkohet atij në LDK. Në një intervistë për Ekonomia Online, ish-lideri i VV-së thotë se ideologjikisht qëndron ndryshe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Unë e vlerësoj zgjedhjen e Abdixhikut sepse është zgjedhje e mirë për LDK-në, kjo s’do të thotë se pajtohem me politikat e Lumir Abdixhikut, ideologjikisht jam ndryshe prej LDK-së, unë ma shumë i takoj socialdemokrat sesa të majtës, ndërkohë që LDK-ja nuk do të bëjë një kapërcim të tillë, mirëpo unë mendoj se është vlerë për politikë-bërjen në Kosovë sepse kjo i shton edhe demokracisë, e veçanërisht pluralizmit një komponent të re, prandaj e vlerësoj si anëtarë të LDK-së, duke e mbajtur njëkohësisht mospajtimin tim parimor me politikat e LDK-së”, tha ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës.
Tutje, drejtori i institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, tha se Lumir Abdixhiku do të përballet me shumë sfida sidomos në rikthimin e besimit të elektoratit, pasi siç thotë Ymeri , LDK-ja ka pasur një strukturë që ka punuar për interesa personale dhe jo të partisë.
“Qëllimi i LDK-së është që të merret me veten që të filloj një proces të reformimit strukturor mbase dhe ideologjik dhe arsyeja pse e kanë zgjedh Abdixhikun është për shkak se e paraqet këtë si një frymë të re brenda LDK-së dhe që mendoj se është zgjedhje e mirë, së pari është jashtëzakonisht i përgatitur, është ideologjikisht i qartë, është i artikuluar në publik dhe mendoj që pozicioni i tij si kryetar i LDK-së do të jetë vlerë edhe për partinë edhe për demokracinë dhe politikë-bërjen në përgjithësi. Tash deri në secilën masë dhe çfarë shpejtësie do të ndërmarrin këto reforma është vendim i brendshëm i partisë, i kryetarit të ri dhe strukturave udhëheqëse, por që ka nevojë LDK-ja ta reformoj veten në secilin nivel të organizimit ka”, u shpreh ai.
“Është një parti e cila është më e vjetër dhe mendoj që për një kohë të gjatë duke qenë në pozicione të ndryshme të qeverisjes së vendit në nivel lokal dhe nivel qendror në një farë mënyrë kanë humbur komunikimin me bazën dhe elektoratin dhe mendoj që duhet t’i kthehen vetes në degët e tyre dhe strukturat udhëheqëse dhe të rikrijojnë një lidhje me elektoratin e vet edhe me qytetarët, mendoj që përmes Lumir Abdixhikut do ta kenë më të lehtë këtë gjë edhe pse është sfidë e madhe për shkak të rezultatit të 14 shkurtit, edhe për shkak të një qeverisje goxha të gjatë te Isa Mustafës, do të thosha një koabullim të strukturave të LDK-së, të cilat jo të gjitha duket se kanë punua për të mirën e partisë dhe të mirën e Kosovës, sepse e kanë pasur pak më shumë interesin personal. Tashmë me Lumir Abdixhikun kjo do të ndryshoj dhe shpresoj”, shtoi ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës.
Më tej, Ymeri thotë se nuk sheh ndonjë mundësi të rikthimit të Vjosa Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Pozicioni i Osmanit është ndryshe prej asaj që ka qenë para zgjedhjeve, Vjosa Osmani ka garua në listën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka gatuar me zotimin se do të bëhet presidente, dhe një pjesë të votave i ka marrë për shkak të kësaj, duke qenë personi më i votuar në Republikën e Kosovës, synimi i saj he i listës që përfaqëson duket të jetë të zgjidhet presidente, dhe zgjedhja ia pamundësoj të merret me politika ditore dhe do të kërkoja që presidentja të mos merret me politika partiake, sepse na duhet një presidente që paraqet unitetin e popullit, z.Osmani duhet të vendos nëse do të merret me politika ditore apo jo. Me ç’është drejtua nga presidentja ta vazhdojë këtë rrugëtim. Në këtë drejtim nuk shoh ndonjë mundësi që ajo të kthehet në LDK, e as të merret me listën e Vjosa Osmanit së paku për 5 vite sa do të jetë presidente”, tha ai.
Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Ymeri thotë se ky proces nuk duhet të bllokohet, duke theksuar se partitë politike duhet ta bëjnë kuorumin për zgjedhjen e presidentit.
Ish deputeti i Kuvendit, thotë se do të ishte më demokratike nëse do të garonin më shumë se një kandidat për pozitën e të parit të Shtetit.
“Nuk dihet saktë se çka është diskutua në këto takime që janë zhvilluar, siç është raportua është fol për konstituimin e institucioneve, pra gjëja më sfiduese mbetet zgjedhja e presidentes dhe kuorumi për të vazhduar me votim. Unë mendoj që partitë politike do të duhet ta bënin kuorumin do të kishte me qenë mirë që ta kemi edhe një kandidatë tjetër dhe të shohim kush do të fitoj në Kuvend, por nuk mendoj që duhet të bllokohet ky proces… Nëse kjo nuk ndodh atëherë ka shumë hapësirë për opozitarizëm. Unë mendoj që veçanërisht LDK-ja, por edhe PDK-ja do të jenë parti të forta në opozitë, do të jenë parti për të diskutuar e këshilluar për qeverinë. Nuk mund të jetë një parti gjithmonë në pushtet siç nuk mund të jetë ne opozitë. Ky tranzicion i pushtetit e shton sharmin e demokracisë”, u shpreh ai.
Demokracinë si standard e kemi të lartë në Kosovë, krahasuar me vendet e rajonit, thotë ish lideri i VV-së, duke shtuar se mungesë në Kosovë është pozicionimi i institucioneve karshi interesave te qytetarëve.
“… pra Republika e Kosovës nuk është republikë që qeveriset nga një tendencë autokrate, nuk ka pasë asnjëherë tillë. Natyrisht se ka brenga, e shqetësime për sa i përket karakterit dhe personalitetit të z.Kurtit në këtë drejtim, por unë mendoj se ka dinamikë goxha të theksuar edhe demografike dhe demokratike në Republikën e Kosovës çfarë ne na mungon është pozicionimi i institucioneve karshi interesave të qytetarëve, dhe mendoj se këtu duhet të bëjë më shumë, se ne kemi pas tranzicion të pushtetit në Kosovë, asnjëherë nuk kemi pas problem me këtë, por ky tranzicion nuk ka sjell ndryshim në qeverisje dhe unë mendoj se çfarë i duhet Kosovës është ndryshim në qeverisje e kjo qeverisje duhet të jetë e ndryshme, e ma e rëndësishmja për mu është që të krijoj mekanizma institucional në mënyrë që qytetarët pavarësisht statusit shoqërorë të kenë mundësi të barabarta për të krijuar rezultatet të barabarta në punën e tyre, kjo nënkupton që edhe i varfëri dhe i pasuri të kenë mundësi të njëjta në procesin e arsimit, procesin e punësimin, një përfshirje më të madhe shoqërore në realizimin e të drejtave në gjyqësor. Unë mendoj që këto janë sfida që ballafaqohet Kosova, ky hendek përfaqëson probleme tjera në raport me shëndetësinë , në raport me arsimin. Na duhet një qeverisje që jep të drejta të barabarta në realizimin e tyre, dhe unë mendoj që në këtë drejtim çalon demokracia e Kosovës jo në procedurat”, përfundoi ai.