Ish-kryetari i Vetëvendosjes e më pas anëtarë i Partisë Socialdemokrate Visar Ymeri në një postim në Facebook është shprehur se vendimi i qeverisë për lëvizje të kufizuar është arbitrarë dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve për grumbullim në ato orë që lejohet qarkullimi.
E poashtu edhe thirrjen e presidentit për moszbatim të këtj vendimi e ka quajtur të rrezikshëm.
Ky është postimi i plotë:
“E, po, kështu kolapson shteti.
Në njërën anë vendimi i qeverisë duket i pamenduar mirë.
Proceduralisht, meqë përputhshmëria e tij me Kushtetutën është tejet e paqartë. Ligjet në të cilat thirret vendimi i qeverisë (sipas apologjetëve) japin të drejtën e “Ndalimit të qarkullimit në rajonet e infektuara ose drejtpërdrejt të rrezikuara” (siç u ishte kufizuar më herët e drejta e lëvizjes Vitisë, Malishevës, disa fshatrave në Podujevë, etj.) Jo në tërë territorin e Kosovës. Përveç nëse Qeveria po konsideron se e tërë Kosova është ‘rajon i infektuar’. Mirëpo në këtë rast ç‘kuptim ka kufizimi i pjesshëm në kohë? Si u bëka që rajoni Kosovë është i infektuar ta zëmë nga ora 10 deri në 16, mirëpo i pa infektuar nga ora 16 deri në 20? Megjithatë kjo është çështje që duhet vlerësuar nga ekspertët. Ata shëndetësor. Por edhe nga ekspertët kushtetues për kushtetutshmërinë e vendimit. Nga Gjykata Kushtetuese.
Funksionalisht, meqë një vendim e tillë e koncentron qarkullimin në pak orë të ditës, që kushtëzon dalje masive në orë të caktuara, e që e rritë rrezikun e infektimit. P.sh. sot kishte pritje të një grupi të madh të njerëzvë për t’i marrë ndihmat sociale. Nuk kishte fare ‘distancë sociale’ meqë kishin dalur të gjithë në të njëjtën kohë. Para orës 10!
Por çka do të thotë thirrja për moszbatim? A është thirrje që të dalim masivisht në rrugë kundër vendimit të qeverisë? Pra kur dikush thotë që ky vendim duhet kundërshtuar meqë nuk ka efekt juridik (siç bëri Presidenti) a i bie kjo që po thotë dilni, mos rrini në shpi?! Dhe, njëkohësisht, konfrontohuni me policinë?! Vërtetë?! Kjo thirrje është absurde dhe e rrezikshme. Po aq sa vendimi i qeverisë. Sepse është arbitrare (shpallje e papajtueshmërisë së vendimit me Kushtetutën nga instanca që nuk janë të thirrura për një gjë të tillë), ashtu sikur vendimi i qeverisë.
Dhe të thuash se ky është fillim i instalimit të diktaturës për një masë e cila po praktikohet në vende të ndryshme të botës, është përtej absurdit. Nëse pamundësohet puna e Kuvendit (mbledhja e tij) dhe nëse nuk respektohet vendimi eventual i Kushtetueses për antikushtetutshmërinë e vendimit të qeverisë, atëherë po, kemi instalim diktature. Mirëpo nëse qeveria heq dorë nga vendimi kur Kushtetuesja e shpallë atë antikushtetues, si dhe nuk e pengon punën e Kuvendit në votimin e mocionit të mosbesimit, vendimi i mbrëmshëm mbetet shkelje procedurale e Kushtetutës.
Kjo nuk është pak, pasi që shkelja e procedurave, rregullave, normave, është sulm direkt mbi institucionet demokratike, edhe nëse kjo vjen si rrjedhojë e gabimit të paqëllimshëm. Por nuk mund ta quajmë diktaturë. Është arbitrar. Sikur edhe thirrja për moszbatim. Dhe i rrezikshëm. Sikur thirrja për moszbatim. Kështu këto të dyja, dhe personifkimi i tyre në institucione (Kryeministri apo Presidenti, ata që i dalin në krah njërit apo tjetrit) po e rrezikojnë seriozisht shëndetin publik.
Ndërsa neve na duhet ta ruajmë atë. Prandaj #rrinshpi“.