Boksierë me potencial të madh vlerësohet se ka pasur Kosova në dekadat e fundit. Shumë kanë nisur e përfunduar karrierën me ëndrrën që të paraqiten në skenën e madhe.
Shumë tashmë e kanë mbyllur karrierën dhe me kohë kanë hequr dorë edhe nga ëndrrat që kishin për boksin, shkruan sot Koha Ditore.
Me potencial të madh vlerësohet edhe Erdonis Maliqi, boksieri 17-vjeçar nga Gjilani. Por për dallim prej dhjetëra apo qindra boksierëve të tjerë nga Kosova, ai do të ketë rastin të paraqitet në skenën e madhe.
Madje skenën e madhe do ta shijojë vetëm katër vjet pasi ka vënë për herë të parë dorëzat e boksit. Të tjerë, pas katër vjetësh mund të kenë zhvilluar meçet e para në garat vendore, por Maliqi është i privilegjuar. Ai së bashku me katër sportistë të tjerë do të përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Verore për të Rinj që nisin javën tjetër (6 tetor) në Buenos Aires të Argjentinës.
Për sportistët e rinj, të tillë çfarë janë: Erdonis Maliqi, Bleron Fetaovski, Muhamet Ramadani, Melisa Zhdrella e Erza Muminoviq, Lojërat Olimpike për të Rinj paraqesin ngjarje kulmore. Plot 4.000 sportistë nga 206 vende do të garojnë në 241 ngjarje, në 32 sporte të ndryshme, prej 6 deri më 18 tetor në kryeqendrën argjentinase.