Youtube e ka bllokuar përkohësisht kanalin e yllit i cili bënte video të bukurisë, James Charles.
Në fillim të muajit, ai kishte pranuar se u kishte dërguar mesazhe me përmbajtje seksuale dy djemve 16-vjeçarë.
Youtube ka konfirmuar se 21-vjeçari i cili ka 25 milionë ndjekës në kanalin e tij në këtë rrjet social, ishte hequr përkohësisht nga programi i tyre i partneritetit.
Programi lejon yjet e Youtubit të fitojnë para nga përmbajtja e tyre.
Youtube nuk tha për sa kohë do të bllokohet kanali i tij.
Një zëdhënës nga YouTube tha se kompania kishte zbatuar politikën e tyre e cila thotë: “Nëse shohim që sjellja e krijuesit brenda dhe/ose jashtë platformës dëmton përdoruesit, komunitetin, punonjësit ose ekosistemin tonë, ne mund të marrim masa për të mbrojtur komunitetin”.
Kjo është kompania e dytë që rivlerëson partneritetin e saj me influencuesit.
Të premten, Charles dhe kompania e kozmetikës Morphe njoftuan për përfundimin e partneritetit të tyre.