Kandidati i Nismës për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, sot do t`i drejtohet Gjykatës Supreme të Kosovës. Berisha ka thënë se do t’i shfrytëzojë të gjitha rrugët ligjore, që të mbrojë të drejtën e tij, për të garuar për kryetar të Prizrenit.
“Beteja politike për Prizren do të vazhdojë në Gjykatën Supreme, sepse PZAP me vendim e saj është në vallen e njëjtë sikurse KQZ”, tregon Berisha, shkruan PrizrenPress.
“Sot, do t’i drejtohem Gjykatës Supreme”, saktëson Berisha kohën e ankesës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për decertifikimin e 86 kandidatëve për asamble komunale dhe kandidatëve për kryetar të komunave, me 8 vota për 1 abstenim dhe 1 kundër.
Me këtë vendim kandidati i Nisma për Kosovën për kryetar të Prizrenit Zafir Berisha është decertifikuar dhe i është pamundësuar gara për të parin e Prizrenit.
Anëtarët e KQZ-së ishin të ndarë rreth këtij vendimi.
Zafir Berisha thotë se “në këtë vend çdo gjë mundë të ketë, vetëm drejtësi jo!”
“Pavarësisht shantazheve për eliminim politikë, si në kohën e komunizmit serbo-sllavë të bandave ‘Pronto’ dhe argatëve të tyre ne jemi këtu”, shprehet ai.