Nuk ka pasur asnjëherë një shafitje të debatit për projektin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, pasi të gjithë ekspertët thonë se projekti i zgjedhur është një kopjim që na kthen shekuj mbrapa. Mirëpo, projekti që kishte tërhequr shumë nga qyetarët dhe ekspertët mund edhe të kthehet përsëri në lojë.
Media Ndërtimi ka shfrytëzuar rastin e një qëndrimi 2-ditor të një prej udhëheqësve të sektoreve brenda ZAHA HADID Architects, Nils Fischer, që të realizojë një intervistë, ku padyshim preket projekti i xhamisë së madhe.
Për më shumë, Fischer ka qenë njeriu që ka udhëhequr këtë projekt, duke pasur edhe një përvojë me Kosovën dhe kosovarët. Shihej në fytyrën e tij teksa fliste, se i pëlqente Kosova. Për më shumë atë e kishte tërhequr kultura dhe diversiteti fetar.
“…kur nisim një projekt bëjmë shumë hulumtime në sfond dhe ishte shumë interesante të mësosh rreth kulturës dhe gjithashtu diversitetin fetar, kështu që ishte shumë emocionuese”, tha ai.
Duke u koncentruar në këtë pikë debati, se nëse janë të gatshëm kompania ZAHA HADID Architects të rikthehen në lojë me projektin e tyre për xhaminë e madhe, përgjigjja ka qenë afirmative.
“Nëse komuniteti e dëshiron një gjë të tillë, atëherë PO do ta rikthenim. Ajo që më pëlqen në lidhje me zyrën tonë është se ne kemi projektuar shumë ndërtesa publike, shumë nga punët tona janë ndërtesa publike dhe mendoj se ne kënaqemi kur njerëzit i pëlqejnë, kështu që nëse ka një dëshirë të komunitetit, atëherë neve do të pëlqente që ta rikthenim”, ka thënë Fischer për Median Ndërtimi.
Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë të Nils Fischer-it.
Nga ajo që kemi lexuar në biografinë tuaj, keni punuar në shumë vende. A keni pasur ndonjë përvojë me projekte në Kosovë?
Hera e parë që kam punuar në Kosovë ishte kur morëm pjesë në konkursin për Xhaminë Qendrore në Prishtinë, dhe kjo ishte diçka interesante sepse kur nisim një projekt bëjmë shumë hulumtime në sfond dhe ishte shumë interesante të mësosh rreth kulturës dhe gjithashtu diversitetin fetar, kështu që ishte shumë emocionuese. Ky ishte angazhimi im i parë dhe deri më tani i vetëm në Kosovë.
Kur dëgjojmë për Zaha Hadid dhe kompaninë e saj, menjëherë na shkon mendja tek projekti i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, i cili nuk është zgjedhur nga njerëzit kompetentë të Kosovës. A keni qenë ju i përfshirë në këtë projekt?
Unë e kam drejtuar projektin, ishte ekipi im ai që e bëri. Po udhëtoja nëpër shumë vende në atë kohë kështu që dërgova disa nga anëtarët e ekipit tim këtu që të kujdesen për të.
A e prisnit që projekti juaj të ishte i përzgjedhuri?
Ne gjithmonë besojmë, jemi shumë optimist, prandaj akoma, ne vazhdojmë të fitojmë pjesën më të madhe të projekteve përmes garave, gjë që është gjithashtu shumë motivuese për ne arkitektët që punojmë në kompani, sepse ne ende dëshirojmë të masim idetë tona dhe nëse marrim pjesë në një konkurs, ambicia jonë është të fitojmë.
A ka pasur ndonjë “prapaskenë” e cila ju ka shtyrë të mendoni se diçka ka qenë e kurdisur në mos-përzgjedhjen e projektit?
Është e qartë se ata që i japin fondet për këtë projekt do të kenë një rol të madh në të, dhe nga ajo që kam kuptuar këtu ka një preferencë të madhe për një lloj arkitekture të caktuar dhe mendoj se është me të vërtetë budallallëk organizatorët që përpiqen të kuptojnë finesën e projektit, gjë e tillë ndodh në çdo projekt, kështu që gjithmonë në arkitekturë të famshme ekziston një element politik i përfshirë. Kështu që unë si arkitekt, kam mësuar të qëndroj larg nga ajo dhe të përpiqem të punoj sa më mirë që të jetë e mundur, që unë ose ne si arkitektë të mund të kontribuojmë me një propozim të fortë, që të kthejmë bisedën në drejtimin që ne duam dhe përveç kësaj, arkitektura e projekteve publike është rezultat i bashkëpunimeve shumë të mëdha. Më pas ne u kontaktuam nga ata që kishin të bëjnë me politikën e projektit dhe kjo është aty ku ne nuk mund të kontribuojmë, ne shpresojmë se ka ende debate rreth projektit dhe mund të rikthehet.
Nëse do ju kërkohej që ta ri-sillni projektin, a do ta kthenit atë?
Nëse komuniteti e dëshiron një gjë të tillë, atëherë PO, do ta rikthenim. Ajo që më pëlqen në lidhje me zyrën tonë është se ne kemi projektuar shumë ndërtesa publike, shumë nga puna jonë janë ndërtesa publike dhe mendoj se ne të gjithë kënaqemi kur njerëzit e pëlqejnë, kështu që nëse ka një dëshirë të komunitetit atëherë neve do të pëlqente që ta rikthenim.
A ka pasur dorë vetë Zaha Hadid në këtë projekt?
Ajo ishte e përfshirë siç ka qenë gjithmonë në projekte, por mendoj se ekziston një perceptim shumë i kuptueshëm, por i gabuar për mënyrën se si funksionon zyra jonë, e cila funksionon siç ka qenë gjithmonë, si një shkollë e dizajnit. Zaha (Hadid) dhe Patrick (Schumacher) kanë kaluar shumë kohë duke i mësuar të gjithë në karrierat e tyre dhe 85% e arkitektëve në zyrën tonë kanë studiuar me Zahan dhe Patrickun, kështu që të gjithë e dijnë se si punon gjuha e dizajnit, e dijnë se si debatojmë për arkitekturën dhe Zaha bënte kritikën e shumicës së plan-projekteve tona. Pra, pavarësisht që Zaha Hadid që ishte një person i tillë, ka pasur shumë ide të projektimit që vinin nga ekipet dhe ajo më pas do t’i komentonte. Gjithashtu për shkak se kemi ekipe kombëtare me prejardhje të ndryshme kulturore, fundja kjo është një ndërtesë fetare dhe Zaha ishte e rritur si myslimane dhe sigurisht e dinte se çfarë gjërash nuk mund të ndryshohen dhe po ajo, ajo ishte mjaft e interesuar për këtë projekt.
Në të gjithë botën, tashmë ekziston një trend i ndërtimit të ndërtesave të larta, madje edhe në Kosovë.. Çfarë mendoni për strukturat e larta kur ato ndërtohen në shtete të vogla si Kosova?
E shoh paksa të vështirë, dhe kjo vjen nga një zyrë që në ditët e sotme ka projektuar edhe ndërtesa të larta, por mendoj se në qytetet e vogla është e dyshimtë. Pekini është një shembull, që edhe në qytetet e mëdha gjërat mund të shkojnë keq, kështu që në qytete të vogla unë mendoj se nuk është një kërkesë e domosdoshme. Unë e absolutisht e mbështes densitetin kur kemi nevojë, kur bëhet një faktor që ndihmon cilësinë e jetës, por prapë se prapë jam shumë kritik.
Cilat janë gjërat e para që i mendoni para se të filloni të punoni në një projekt?
Gjëja e parë është shikimi i hapësirës, jo domosdoshmërisht i ndërtesave përreth saj. Shikimi në kontekstin i cili në veçanti është i rëndësishëm për ndërtesat publike, të cilat i shërbejnë të gjithë qytetit apo komunitetit, andaj është shumë e rëndësishme se si i qaseni një ndërtese dhe sigurisht hulumtimit.
Çfarë iu sugjeroni arkitektëve të rinj?
E di se në Kosovë në veçanti, nuk është kaq e lehtë por do të thoja udhëtoni më shumë, ka shumë për të parë. Unë shkova në Romë për një vit dhe tentova të shoh sa më shumë kisha që ishte e mundur nga 800 kisha gjithsej, dhe në atë kohë këto të gjitha ishin ndërtesa publike dhe ato janë thjesht një manifestim i ndërtimit komunal për t’i dhënë formë mjedisit, kështu që mendoj se ende ka shumë për të mësuar. Dhe mendoj se gjëja tjetër është të vazhdoni të jeni kurioz, dhe mendoj që hapja e mendjes dhe të kuptuarit se ku mund të shkoni si arkitekt për të bërë një ndryshim është e rëndësishme.
Cila është përshtypja juaj për Kosovën nga syri i një arkitekti?
Isha mjaft i befasuar për atë pak arkitekturë historike që ka mbetur dhe të kuptoj se ekziston një situatë shumë e vështirë në ruajtjen e ndërtesave të vjetra për shkak të mënyrës se si planifikimi funksionon këtu, por pastaj mendoj se ka edhe një shtresë interesante të arkitekturës ndoshta socialiste. Mendoj se është e mahnitshme se sa i gjallë është vendi. Rrugët janë plot me njerëz dhe kafene dhe kjo duket që në njëfarë mënyre më thotë se shumë nga këto ndërtesa kanë kaluar testin e kohës kështu që është mjaft interesante.