Zanatlinjtë e Kosovës që promovojnë vlera dhe traditën kombëtare

Prishtinë | 19 Gus 2023 | 14:37 | Nga Safet Gerxhaliu

Duke kaluar në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë e pashë një grup të turistëve të huaj që ishin ndalur tek një dyqan i vogël i përpunimit të lëkurës “Ros handmade”, ku flitej në gjuhën angleze dhe gjermane nga dy zanatlinj.

Sa e ndjeva veten krenar kur e dëgjoje atë komunikim të perfeksionuar lidhur me traditën e zanateve në Kosovë dhe sqarimet lidhur me artin e lëkurës që ata e punonin! Prodhime të shumta me vlera kombëtare dhe unike! Punë filigranike vetëm me një çekan, disa lakore metalike për të gravuar lëkuren apo për ta qëndisur atë dhe penj e gjilpëra pa gozhda dhe metale që i jepnin vlerë artistike çdo produkti në atë dyqan! Kishte çanta, kuleta, rripa për meshkuj e femra, produkte të ndryshme të punuara me porosi që e hijeshonin me mbishkrimin “Made in Kosova”.

Turistet ishin të hipnotizuar me kulturën dhe artin që prezantohej nga këta zanatlinjtë kosovarë. Më gëzoi fakti që turistët nuk u kthyen duarthatë.

Ju afrova dhe i përgëzova për atë që më bënë krenar jo vetëm mua por tërë Kosovën dhe Shqiptarinë. Ishin Veton Dyla dhe Veton Jusufi dy vlerat që shkëlqyen atë ditë. Kishin jetuar në Angli dhe vende tjera jashtë Kosovës por shpirtin e artistik e kthyen në Kosovë dhe me punën e tyre mbrojnë vlerat dhe traditën tonë shekullore dhe përmirësojnë imazhin e Kosovës. Punë jo profitabile në sensin material por pasuri shpirtërore dhe kombëtare në sensin real. Vetëm edhe dy dyqane të tilla tradicionale gjenden në Ballkanin Perëndimor dhe më e mira është në Prishtinë dhe një diku në Bosnie dhe Hercegovinë. Jetojmë nga të huajt sepse vendoret nuk kanë interesim të madh e në veçanti jemi të anashkaluar nga Institucionet tona!? Fuqia blerëse tek ne ka ra e për një qantë punë dore nga lëkura duhen orë të shumta pune! Jemi të gatshëm të prodhojmë për Institucione dhe Kompani vendore suvenire dhe dhurata origjinale por kujdesi i tyre për të na ndihmuar dhe shpëtuar ketë thesar është inekzistent!

Ne do të vazhdojmë sa të kemi forcë e jetë me ketë zanat por nuk garantohet ekzistenca e këtyre zanateve në të ardhmen!

A thua jemi verbëruar nga politika dhe promovimi i antivlerave . Në qoftë se harrohet tradita dhe vlerat e trashëguara nga të parët tonë athua do të na dënojë ardhmëria! Deri kur i huaji dhe e huaja do vlerësohet dhe e jona tradita dhe arti do të shkatërrohen e harrohen.

Sa më i bukur kishte me qenë sheshi “Nëna Tereza” kur në të dy anët e sheshit do të kishim dyqane të tilla që do ta promovonin traditën dhe kulturën e Kosovës para të huajve, por edhe para vendorëve me sy të mbyllur!

Respekt të pa fund për ju dy Vetona që më dhuruat krenari për të qenë kosovar në këtë kohë Kosova është e rrethuar nga re të zeza.

Të ngjashme