Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, (ZAP), ka bërë një përmbledhje shpenzimesh, për Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.
262 mijë e 892 euro janë shpenzuar vetëm për asistencat teknike të MASHT-it. Ndërsa 38 mijë e 150 euro, është vlera e shpenzimeve të paparashikuara, të cilat nuk janë specifikuar, shkruan Indeksonline.
Ndryshe 301 mijë euro, është totali i shpenzimeve. MASHT, ka shpenzuar para edhe për punëtoritë të cilat i kanë mbajtur jashtë shtetit. Për të cilat ZAP, ka gjetur se pagesat nuk janë kryer me kohë deri pas afatit të përfundimit të projekteve.
“Bëhet fjalë për një punëtori e cila është mbajtur jashtë shtetit me 1-3 prill 2016, me qëllim të finalizimit të disa dokumenteve, udhëzimeve administrative dhe procedurave standarde operative të cilat ndërlidhen me projektin. Vlera totale e shpenzimeve të udhëtimit/puntorisë ishte 4,879€”, tregon e gjetura e ZAP.
Ndërsa thuhet se për kategorinë e shpenzimeve të udhëtimeve zyrtare,nuk nevojiten procedura të prokurimit.
Të gjithë këto pagesa thuhet të jenë lidhur me udhëtime zyrtare, akomodime e shpenzime të trajnimit.
“Në kategorinë e shpenzimeve tjera për të cilat nuk nevojitet të zhvillohen procedura të prokurimit, ne testuam 6 pagesa në vlerë 18,108€. Pjesa më e madhe e tyre ka të bëjë me udhëtimet zyrtare brenda dhe jashtë vendit, akomodimin dhe shpenzimet e trajnimit, thuhet në raportin e ZAP.