Shkolla Fillore “Avni Rrustemi” në Irzniq të komunës së Deçanit, nga sot është bërë me ngrohje qendrore, falë investimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në kuadër të projekteve për zbatimin e masave efiçiente në ndërtesa publike.
Në inaugurimin e këtij projekti ka marrë pjesë dhe ministri Blerand Stavileci, përfaqësues të pushtetit lokal të Deçanit dhe punonjës të shkollës.
Me këtë rast, kreu i MZhE-së tha se ky projekt ndihmon shkollën që të kursejë energjinë dhe në anën tjetër hyn në kuadër të shëndetit publik, sepse për të gjithë këta nxënës që vijojnë këtë shkollë, përmirëson kushtet e mësimit, ndërsa shtoi se nuk përfundon këtu, ngase projekte të tilla do të përfshijnë edhe shkolla tjera.
“Efiçienca e Energjisë, krahas projekteve madhore siç është TC ‘Kosova e Re’, është një ndër prioritetet kryesore të MZhE-së, respektivisht Qeverisë së Kosovës, që lidhet me zhvillimin, shëndetin publik dhe krijimin e vendeve të punës”, tha ai.
Stavileci bëri të ditur se në këtë fushë MZhE-ja ka edhe dy projekte të aprovuara, për ndërtesat publike qendrore dhe ndërtesa publike në nivel lokal, që realizohen me Bankën Botërore, KfW dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, ndërsa paralajmëroi se me rishikimin e legjislacionit së shpejti do ta kemi edhe Fondin Eficiencës.
Nga ana e tij, drejtori i Arsimit në Komunën e Deçanit, Qazim Maloku, tha se kjo komunë është falënderuese për projektin e ngrohjes qendrore, që është një e arritur, veçanërisht pasi kjo ka të bëjë që nxënësit, të cilët do të kenë një ambient më të ngrohtë. Ai falënderoi Ministrin Stavileci për mbështetjen e këtij projekti, që sipas tij do të ndikojë edhe në ngritjen e cilësisë në mësim.
Edhe, drejtori i shkollës “Avni Rrustemi”, Mehdi Doda, falënderoi MZhE-në dhe Komunën e Deçanit që kanë përzgjedhur këtë shkollë që të realizojnë këtë projekt kaq të rëndësishëm për nxënësit që vijojnë këtu mësimin.
Sshkolla “Avni Rrustemi” në Irzniq ka rreth 300 nxënës dhe ngrohja e mjediseve mësimore deri më tani është bërë me stufa.